Të gjithë mbretërit kanë përjetuar makthe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 26, 2020 | 16:00

Të gjithë mbretërit kanë përjetuar makthe

Me vendimet e fundit të të ashtu quajturës asamble, zgjidhet për fundimisht dilema se çfarë do të bëjë me konkurrentët e mundshëm për postin tuaj të privatizuar të presidentit. Ta kuptojmë shqetësimin. I ke identifikuar me ata që vijnë e të marrin frymën, pushtetin dhe çdo gjë tjetër me vlerë, pra me të ashtuquajturat makthe.

Arsen Hoxha studiu

Mos u mërzit Armando! – Të gjithë mbretërit i kanë përjetuar këto makthe, madje në të njëjtën rrugë kanë shkuar.

Në fakt, kishe në dorë një rrugë më burrërore, me të kulturuar, më qytetare, por nga ngutja nuk arrite ta shfrytëzoje. Pretendentët tuaj të presupozuar duhet t’i kishe parë më realisht. Ishte kjo arsyeja që në mënyrë arbitrare ua hoqe atyre të drejtën për ta ëndërruar e jo më për ta gëzuar atë post. Për të gjithë ne që ju njohim, na u duk shumë i çuditshëm ky qëndrim i panevojshëm. Pozitat tuaja nuk i lëkundin as ndërhyrjet politike dhe as ata që janë jashtë shtetit, edhe pse kanë treguar se janë shumë të aftë si Eduard Dervishi, Igli Tare, Rudi Vata etj. Ua keni prerë atyre të gjitha rrugët që në ditën e parë që filluat punë në krye të FSHF-së me atë ligj antidemokratik që vendosët, duke shndërruar në votues njerëzit rrogëtarë në FSHF. Është e vërtetë që kandidatët e predispozuar, banojnë dhe punojnë jashtë shtetit, por mos harro se ata janë pjesë e pasurisë sonë kombëtare. Nuk kuptohet se si Ju personalisht, anëtarët e Komitit Ekzekutiv të FSHF-së apo ajo pjesë e paditur e anëtarëve të asamblesë morët një palo vendim, që t’u hiqni mundësinë për të kontribuar në të mirë të futbollit tonë disa prej specialistëve më të aftë që Shqipëria ka?! Në një farë forme, ky është një krim, që ndoshta edhe duhet gjykuar më thellë.

Nëse i nderuari Lorik Cana, mund të bëhet deputet ose zëvendësministër për sportet në Ministrinë e Arsimit, Kulturës dhe Sporteve dhe pas disa kohësh për arsye të rrotacionit politik ta humbasë atë pozicion të presupozuar:të duket e drejtë ty personalisht apo atyre që e kanë mbështetur në mënyrë servile idenë tuaj, që atij t’i mohohet e drejta për t’u rikthyer përsëri në botën e sportit dhe për të kontribuar direkt në të?

Në fakt, ju e dini se cila është zgjidhja më e drejtë, por makthet nuk iu lenë të mbani qëndrim dinjitoz.

Në të njëjtat pozita me ju, janë edhe mjaft nga anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FSHFsë, që përballë interesave personale, nuk gjejnë dot të drejtë morale për t’i kundërshtuar idetë tuaja.

Sapo dëgjova vendimet e të famshmes asamble, vendosa që të rrija indiferent, kjo për arsyen e vetme se unë kam folur shumë për to dhe për ju personalisht. Kam vlerësuar aftësitë shumë të mira organizative që keni, ndërkohë ju kam etiketuar si një mbret të vërtetë në praktikën e administrimit të pushtetit që zotëroni.
aldi topciu
E vetmja arsye që mendova të prononcohem, janë justifikimet e bëra ne “Rubrikën Sportive” nga zëdhënësi juaj ligjor z. Topçiu.

Me arrogancë dhe justifikime bajate na tha se, organet e larta të futbollit botëror kanë orientuar që mandati i presidentit të mos zgjasë më shumë se 3 herë, por komisioni përkatës nuk e konsideroi këtë si një detyrim?!

Me këtë justifikim të krijohet përshtypja, se ju ishit dakord me udhëzimet e UEFA-s, por s’keni se çfarë t’i bëni atij komisioni “që nuk ju pyet” në vendimmarrjet e tij…

Me këto justifikime, më kujtuat një shkrim të të mirënjohurit Pëllumb Kulla, ku citonte Enver Hoxhën të thoshte: “Kështu vendosi partia, unë jam ushtar i saj”. Më pas, me të drejtë z. Pëllumb shtronte pyetjen: “Mirë ushtarin e mësuam, po komandanti kush është”? Mirë z. Topçiu tha atë që i kishin mësuar, por ne jemi kureshtarë të mësojmë mendimin tuaj, pas atyre që ai tha. Ju duken morale?Ju duken sportive? Ju duken demokratike? Apo asnjëra prej tyre?

Përgjigju njëherë sinqerisht, se je i blinduar e nuk të gjen gjë.

Z. Topçiu ishte i pakënaqur që vendimet nuk janë mirëpritur, veçanërisht për kandidatët që vijnë nga politika, madje kërkoi që ne njerëzit e thjeshtë ta mbështesim këtë ide tuajën dhe të japim mendime në thellim të saj. Meqë ju e keni nisur këtë rrugë dhe doni “ta çoni deri në fund” unë, si njeri i sportit, jam i gatshëm të jap mendimin tim që është:

“… Gjithashtu i ndalohet të kandidojë për postin e presidentit të FSHF-së apo të anëtarit të Komitetit Ekzekutiv çdo kandidati që ka vëllanë ose motrën kryetar të një partie politike, deputet ose anëtar qeverie…”

Besoj se je dakord. S’të kushton gjë!

Me praktikat e përdorura, kjo shoqatë nuk është më e hapur. Përkundrazi, shumë e mbyllur dhe e frymëzuar nga metodat e sajuara të luftës së klasave të Enver Hoxhës për t’u bërë sundues i përjetshëm. Ju personalisht gjithmonë keni qenë i lidhur me politikën dhe njerëzit e saj. Madje, për këtë qellim, të gjithë punonjësit e FSHF-së janë vënë në dispozicionin tuaj.

Menjëherë pas zgjedhjes në organet e larta të UEFA-s, ke marrë një farë ekstra autoritet. Edhe pse trumbeton se shoqatat sportive janë apolitike, shpesh harron dhe e paraqet FSHFnë si një parti politike, diku në hije e diku edhe publikisht! Trumbetuat se me përjashtim të mandatit të presidentit, që nuk u bind komisioni, të gjitha vendimet e tjera janë marrë në përshtatje me udhëzimet e UEFA-s. Në rast se nuk gënjeni është në interes të të gjitha palëve, që ato udhëzime apo detyrime t’i bëni publike. Nuk është mirë që t’i kaloni në heshtje. Thatë se, duhet kohe që ato vendime të kuptohen…, por është e çuditshme se sa shpejt i kuptuan ato anëtarët e asamblesë së përgjithshme, kur koha në dispozicion ishte e pamjaftueshme edhe për individë me kulturë të lartë e jo më për ata të paditur, që me kënaqësi votuan një ligj, për t’i hequr vetes të drejtën për të votuar në të ardhmen?! Kur do të largohesh nga kjo detyrë dhe njerëzit të bëjnë historinë, me siguri që do të thonë:”Ishte shumë i aftë dhe i zgjuar. Me përjashtim të dy mandateve të para, ku bëri çfarë t’i donte qejfi, në të tjerat (që nuk dihet sa do të jenë), erdhi duke e përmirësuar ndjeshëm punën e tij dhe në përgjithësi me rezultate të mira. Ndërkohë dëshira pas atij kolltuku, ia përforcoi mendjemadhësinë, arrogancën dhe hakmarrjen, deri në kufijtë e mospërfilljes duke ia cenuar asaj shoqate në mënyrë të ndjeshme demokracinë e brendshme. Jam i sigurt se ditën që do të vendosni të largoheni nga ai kolltuk dhe do të ktheni kokën prapa, në kujtimet tuaja për shoqatën e madhe të futbollit shqiptar, do të thoni:

“Gjynah të shkretët, sa të urtë ishin. Kurrë nuk ma prishën. Duke jetuar me iluzionin e mbështetjes sime, shumë herë votuan ligje e rregulla edhe pse ishin në kundërshtim me interesat e tyre…”

Ata të ndershmit naivë, por jo me formimin e duhur do të thonë: “Si se kuptuam edhe kur na përdorte në mes të ditës?!” Ndërsa pjesa servile, që praktikisht ka qenë nën mbrojtjen tuaj, do të thotë: “Tek e fundit ç’na gjeti që iu nënshtruam. Fitoi ai, fituam edhe ne…”

Besoj se nuk jam i gabuar në këto që mendoj. Nëse ndodh e kundërta dhe ju do të qartësoni ato që kanë mbetur në errësirë, unë do t’u kërkoj falje publike.

* Ish-gjyqtar i FIFA-s dhe ish-disenjator i arbitrave në FSHF

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"