Oferta nga elita dhe Kosova, sulmuesi i Kategorisë së Parë: Çasti për hapin e madh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 3, 2020 | 21:02

Oferta nga elita dhe Kosova, sulmuesi i Kategorisë së Parë: Çasti për hapin e madh

Të shpallesh golashënuesi më i mirë i Kategorisë së Parë nuk është mision i lehtë, për më tepër kur je lojtar i një skuadre që e arrin mbijetesën vetëm në javën e fundit të kampionatit. Klodian Nuri ia doli me sukses të jetë “Këpuca e Artë” e këtij edicioni, me 17 gola, duke arritur një sukses personal në sezonin e tij më të mirë. Në një prononcim për “Panorama Sport”, 25-vjeçari nuk e fsheh kënaqësinë, për më tepër që këta gola shpërblyen skuadrën edhe me qëndrimin në kategori.

klodian nuri

“Ka qenë sezoni më i mirë në aspektin personal dhe normalisht jam i lumtur, sepse nuk është e lehtë të shpallesh golashënues i kampionatit. Kur ky sukses personal vjen edhe me arritjen e objektivave të skuadrës, atëherë kënaqësia është dyfishe, sepse në të kundërt nuk do të kishte asnjë vlerë. Dua të falënderoj gjithë shokët e ekipit, sepse pa ndihmën e tyre as unë dhe as skuadra nuk do të kishim arritur objektivat”, u shpreh fillimisht sulmuesi i Elbasanit.

OFERTAT

Sezoni i shkëlqyer i Nurit ka tërhequr vëmendjen e ekipeve elitare në vendin tonë, por edhe në Kosovë, teksa nuk i kanë munguar ofertat gjatë këtyre ditëve. “Realisht kam pasur shumë oferta, si nga ekipet e Superiores në Shqipëri, por edhe në Kosovë. Nuk e di, për momentin jam duke pushuar dhe nuk mund të them asgjë se ku do të jem sezonin e ardhshëm. Më duhet ta mendoj mirë, pasi e shoh si momentin edhe për të bërë atë hapin e madh në karrierë, ndaj nuk dua të nxitohem. Së pari, i jam shumë mirënjohës gjithë klubit të Elbasanit dhe presidentit Laze, pasi më dhanë mundësinë që të tregoj vlerat e mia”, vijoi më tej Nuri.

nuri

URIMET – Klodian Nuri nuk e ka marrë ende zyrtarisht “Këpucën e Artë”, por urimet ndaj tij nuk kanë munguar, madje edhe nga rivalët. “Urimet i kam marrë nga të gjitha anët, nga kolegë të mi, por edhe nga rivalët që kam pasur për këtë çmim. Është një vlerësim, sepse nuk të ndodh të shpallesh shpesh golashënues i kampionatit. Shumë sulmues ndoshta e kanë synuar këtë trofe, por jo të gjithë e kanë arritur, por unë e shoh si një sfidë dhe do përpiqem që të njëjtin sezon të përsëris sërish”, përfundoi kryegolashënuesi i këtij sezoni në Kategorinë e Parë, Klodian Nuri

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"