“O Solomon, a dëgjon?”, tifozët rreshtohen në taraca. Ja pikantet e Apolonia-Partizani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 26, 2020 | 20:33

“O Solomon, a dëgjon?”, tifozët rreshtohen në taraca. Ja pikantet e Apolonia-Partizani

Apolonia dhe Partizani ritakohen në Superiore pas plot 5 vitesh, 7 muaj e 21 ditë. Ndeshja e fundit ka qenë më 4 prill 2015, e fituar 1-0 nga Partizani. “Panorama Sport” ju sjell pikantet e ndeshjes së djeshme në stadiumin “Loni Papuçiu”.

GJK_6540-1536x1024

* Interesim nga tifozët fierakë për të parë Partizanin, por pamundësia për të qenë në stadium, ka bërë që një pjesë e konsiderueshëm ta ndjekë nga ballkonet e pallateve rreth e rrotull “Loni Papuçiut”.

* Fitorja e fundit në Superligë për fierakët regjistrohet më 9 maj 2015, në ndeshjen Apolonia – Elbasani 4-1, me tripletë të Andi Ribajt dhe një gol të Realdo Filit, ndërsa për elbasanasit shënonte Eri Lamçja.

* Në tribunën VIP ka qenë presidenti i Partizanit, Gazmend Demi, i cili vetëm pjesën e dytë është kujtuar të vendosë maskën mbrojtëse. Pas golit të tretë, kreu i klubit të kuq është larguar nga stadiumi. Ndërkohë, ka munguar presidenti i Apolonisë, Koço Kokëdhima, që ndodhet në karantinim.

* Në tribunën VIP ka qenë i pranishëm edhe ish-kryetari i bashkisë, njëherësh ish-president i Apolonisë, Baftjar Zeqaj, që e ka ndjekur ndeshjen nën shoqërinë e regjisorit Kiço Londo.

* Grupimi fanatik i tifozëve të Apolonisë “Green Boys” e kanë ndjekur ndeshjen nga tarraca e një pallati pranë “Loni Papuçiut”, ndërkohë që në tribunën C, nga e ka ndjekur Apoloninë ky grupim në gjendje normale, ishte vendosur një banderolë ku shkruhej: “Liria e ka një emër”, si një kërkesë për t’u lejuar tifozët në stadium.

* Një tifoz i kuq në tribunë ka qenë më aktiv edhe se vetë trajnerët e të dyja skuadrave. Shpesh është dëgjuar duke motivuar lojtarët e Partizanit: “Forca Bardhi, bravo Mala!”, “O Solomon, më dëgjon? Hajde, përpara, fitore!”

* Në një moment kur gjyqtari asistenti Veseli akordon një pozicion jashtë loje për Partizanin, nga tifozët e kuq u dëgjua shprehja: “Ai anësori, shumë dorë paska!”.

* Kolela ka qëndruar gjatë gjithë ndeshjes në këmbë, ndërsa Daja ka qenë më i qetë dhe rrallë ka ngritur tonin e zërit. B. Rama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"