“Nuk trembemi”, Ribaj sfidon Dinamon dhe Skënderbeun: Me merkaton që do bëhet, Flamurtari super

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 17, 2022 | 21:52

“Nuk trembemi”, Ribaj sfidon Dinamon dhe Skënderbeun: Me merkaton që do bëhet, Flamurtari super

Andi Ribaj nuk e diskuton ngjitjen në elitë. Kapiteni e sheh ekipin në “Abissnet Superiore” për vitin 2023, ndonëse e pranon që gara do të jetë e ashpër. Me Skënderbeun dhe Dinamon që kanë rënë zyrtarisht në Kategorinë e Parë, vështirësia shtohet, por sulmuesi nuk trembet aspak.

ANDI RIBAJ

Ai paralajmëron se me grupin që kanë dhe merkaton që do të bëhet, kuqezinjtë do të jenë super. Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, 32- vjeçari flet edhe për sezonin që sapo mbyllën dhe pengesat që hasën. Dilema për të ardhmen nuk ka, pasi e ka ndarë mendjen që të mbetet kuqezi.

Ribaj, jeni më të qetë tani që siguruat ngjitjen?

Normalisht që jemi të qetë. Nuk e kemi vënë asnjëherë në diskutim objektivin që kemi. Kështu që jemi shumë të qetë tani. Do të ecim para për ta çuar skuadrën ku e ka vendin.

Jo vetëm u ngjitët, por edhe fituat dy kupa, të kënaqur?

Patjetër që jemi të kënaqur që i fituam të dyja kupat. Normal që i kemi merituar të dyja, prandaj edhe i morëm. Nuk mund të vihej në dyshim fitimi i këtyre dy trofeve nga Flamurtari.

Çfarë problematikash keni hasur gjatë këtij sezoni?

Përveç terreneve, asgjë tjetër nuk ka qenë e vështirë për ne. Na kanë respektuar në të gjitha fushat që kemi shkuar.

Kategoria e Parë bëhet e vështirë me Skënderbeun dhe Dinamon. Mendoni se ndërlikohet misioni?

Normalisht do jetë e vështirë. Skënderbeu vjen nga një periudhë e gjatë me suksese të mëdha dhe Dinamo një emër i madh. Por ne kemi një grup të shkëlqyer dhe me përforcimet që do bëjë presidenti me stafin do ia dalim të ngjitemi.

Kur besoni se e kapni Superioren?

Mendoj dhe besoj së viti tjetër do të na gjejë në Superiore.

Do të qëndroni edhe në të Parën?

Normalisht që do qëndroj. Për mua është viti i pestë dhe jam shumë i lumtur që jam në një ekip si Flamurtari. Falënderoj presidentin Sinan Idrizi për çdo gjë.

ERMAL SIKA  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"