Nuk ka qetësi te matjanët. Analizë dhe masa financiare te Burreli, e konfirmon sekretari i klubit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 10, 2024 | 16:17

Nuk ka qetësi te matjanët. Analizë dhe masa financiare te Burreli, e konfirmon sekretari i klubit

Nuk ka qetësi te Burreli. Humbja kundër Besës nuk ka kaluar lehtë për ekipin. Para fillimit të javës stërvitore, skuadra i është nënshtruar një analize të hollësishme. Sekretarit i klubit, Marjan Leshaj, për “Panorama Sport” tregon edhe masat dhe paralajmërimet e dhëna për ekipin pas humbjes së fundit.

burreli fest

“Ekipi iu nënshtrua një analize të hollësishme pas humbjes me kavajasit. Për paraqitje të dobët në dy ndeshjet e fundit, sidomos atë kundër Besës, lojtarëve do t’iu pezullohen pagat deri në arritjen e objektivit. Ky është kusht, ndërkohë që u është kërkuar kthesa që në ndeshjen e radhës kundër Tomorit”, tha fillimisht Lleshaj, i cili pohoi se bashkia ia ka plotësuar të gjitha kushtet ekipit dhe një situatë e tillë është e papranueshme. Mbijetesa nuk duhet të vihet në diskutim, por kalendari u rezervon matjanëve dy ndeshje radhazi në transfertë.

“Duke qenë se kemi mposhtur skuadra me emër dhe traditë në futbollin shqiptar, jo vetëm në fushën tonë, por dhe në transfertë, jam optimist se Burreli do të dijë të reagojë që në ndeshjen e radhës. Kjo duhet jo vetëm në përmbushjen e objektivit, por edhe si shenjë reflektimi ndaj tifozërisë sonë të mrekullueshme, e cila na ndjek në çdo seancë stërvitore”, u shpreh në fund sekretari Lleshaj. Pas 28 javësh, Burreli ka 31 pikë dhe renditet i teti në klasifikim.

NDERIM GOCI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"