“Nuk jemi mes favoritëve për Superioren”, zyrtari i Elbasanit: Të bëjmë llogaritë me kontigjentin që kemi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 25, 2020 | 15:22

“Nuk jemi mes favoritëve për Superioren”, zyrtari i Elbasanit: Të bëjmë llogaritë me kontigjentin që kemi

Elbasani ka bërë disa lëvizje në merkaton e kësaj vere, me shpresën që t’i japin frytet e duhura në kampionat dhe ndërthurja me futbollistët e tjerë t’i mundësojë një kampionat sa më dinjitoz. Në një prononcim për “Panorama Sport”, drejtori teknik i elbasanasve, Sabri Dalipi, vlerëson afrimet e bëra duke ditur mundësitë që kishte klubi. Ai tregohet i sinqertë dhe pohon se nuk mund të flitet për Superiore.

Turbina-Elbasani
“Ne jemi munduar që brenda mundësive që kishim të bënim afrime dhe besoj se kemi bërë ndërhyrje që e kanë përforcuar skuadrën. Të shpresojmë që të paktën mos të vëmë më në diskutim qëndrimin në kategori si sezonin e kaluar. Tani, dëshira e të gjithëve është Superiorja dhe nëse do të na mundësohej ndonjë afrim cilësor në çdo repart, patjetër që do të ishim në rangun e ekipeve favorite. Por të bëjmë llogaritë me kontigjentin që kemi dhe do t’i marrim gjërat me radhë. E rëndësishme është ta nisim kampionatin me këmbë të mbarë dhe hap pas hapi të shohim mundësitë tona, pa i vendosur vetes objektiva me çdo kusht”, u shpreh për gazetën Sabri Dalipi.

Për sot verdheblutë kanë programuar një miqësore me Shkumbinin në Peqin.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"