“Nuk e kuptoj se si mund të pësohen aq lehtë golat”, ish-mbrojtësi Pisha: Dinamo për 4-she, ja çfarë i nevojitet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 20, 2024 | 11:24

“Nuk e kuptoj se si mund të pësohen aq lehtë golat”, ish-mbrojtësi Pisha: Dinamo për 4-she, ja çfarë i nevojitet

Në tribunën qendrore të “Air Albanias” për derbin Tirana-Dinamo, mes shumë ish-lojtarësh dhe personalitetesh ishte edhe ish-kapiteni i bluve, Arjan Pisha.

Kur Pisha luante për Dinamon dy dekada më parë

Kur Pisha luante për Dinamon dy dekada më parë

Në fund doli me shijen e keqe të humbjes të një ndeshjeje, ku Dinamo duhej të paktën të merrte barazimin. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-mbrojtësi elbasanas që pjesën më të madhe të karrierës e ka me fanellën blu, tregon se çfarë shkoi keq ndaj Tiranës dhe çfarë duhet të përmirësojë për të qenë më kompetitive. Për Pishën, Dinamo ka skuadër për të qenë në 4-shen më të mirë të kampionatit në fund të tij.

Arjan, ju e ndoqët nga afër derbin mes Tiranës dhe Dinamos. Çfarë vlerësimi keni në total për atë ndeshje?

Po, e pashë nga afër dhe më pëlqeu si ndeshje, të them të drejtën. Më pëlqeu, sepse u shënuan 5 gola dhe futbolli në fund të fundit është i bukur kur shënohen gola. Ka pasur derbi të tjerë më parë që kanë qenë më të varfër me gola, por këtë herë pati emocione, pati lojë, pati gola.

Dinamo e nisi keq ndeshjen, duke ia bërë malore vetes me dy golat e pësuar. Pse ndodhi kjo gjë, sipas jush?

Dinamo në atë ndeshje pati probleme në mbrojtje, ashtu siç ka pasur edhe në ndeshje të tjera. Por nuk është vetëm faji i mbrojtësve që u pësuan ato dy gola. Në të dy rastet skuadra ishte e vendosur gabim dhe u ndëshkua. Ajo që më bëri përshtypje është se lojtarët e Dinamos sikur nuk kishin shumë besim se mund ta fitonin ndeshjen, nuk kishin atë karakterin e duhur për të fituar ndeshje të tilla. Megjithatë, krijoi raste dhe në pjesën e dytë luajti më mirë. Arriti ta barazonte ndeshjen dhe pastaj sërish gaboi fatalisht në rastin e golit të tretë të Tiranës.

Çfarë gaboi në atë rast?

Shikoni, futbolli është edhe pak i ashpër. E kam fjalë brenda kornizave sportive. Duhet të jesh pak më agresiv për të mos e lejuar kundërshtarin që të veprojë në mënyrë aq komode, edhe pse gjuajtja e Jonuzit ishte e bukur. Nuk e kuptoj se si pësohen aq lehtë ato gola dhe ka ndodhur edhe herë të tjera, madje edhe kur ka qenë në avantazh me një apo dy gola. Duhet ta mbrosh fort rezultatin, duke sakrifikuar në çdo moment. Dinamo barazoi dhe pastaj ra sërish në atë nivelin e humbjeve të tjera që ka pësuar me Tiranën këtë sezon. Ndoshta pati frikën se do t’i ndodhte si më parë. Tirana mund ta kishte ndëshkuar edhe më parë, mund të shkonte ndeshja edhe 3-0, apo 4-0. Me mundësitë e veta ajo bëri më të mirën dhe e fitoi ndeshjen.

Sa mundësi ka realisht kjo Dinamo për të qenë në 4- shen e parë?

Duhet të jetë, sepse Dinamo e ka skuadrën. Ka bërë lojëra të mira në shumë ndeshje dhe ndoshta shpesh nuk ka marrë atë që ka merituar. Ka lënë shumë pikë në fillim të kampionatit dhe tani që çdo gjë bëhet më e vështirë, i duhet ta fitojë patjetër. Kishte një shans të mirë me Tiranën, por e humbi, të paktën të merrte një pikë, sepse e mbante një rival aty. Do të ishte “mëkat” që Dinamos të mos shkonte në “Final 4”, sepse e ka skuadrën, pavarësisht problematikave në mbrojtje dhe mesfushë. Unë besoj se do të jetë, skuadrat e kreut janë të forta, por kanë pak a shumë kanë një nivel të barabartë.

Çfarë duhet të bëjë më mirë në këto javë të fundit, për çfarë ka nevojë kjo skuadër që të shkojë më lart?

Unë mendoj se ka nevojë për liderë, për ata lojtarë që janë trajnerë në fushë. Dhe liderin mund ta bëjë kushdo që e ndjen, jo vetëm lojtari që ka shiritin e kapitenit në krah. E ndihmojnë shumë ekipin ata lojtarë që orientojnë të tjerët se çfarë duhet të bëjnë në momente të caktuara, ku duhet të shkojnë. Në derbi, me aq tifozë sa ishin, dëgjohej çdo gjë, por ne nuk e dëgjuam zërin e asnjë lojtari të Dinamos në asnjë moment. Nuk dëgjuam asnjërin t’i fliste ekipit. Pastaj duhet më shumë ego, më shumë karakter. E kam thënë edhe më parë për gazetën tuaj se lojtarët duhet ta kenë të qartë se çfarë fanellë mbajnë veshur, cilin klub përfaqësojnë. Ata duhet ta dinë se kanë një mundësi shumë të mirë dhe nëse bëjnë mirë me Dinamon, do t’i kërkojnë të gjithë, në të kundërt do të bëjnë hapa prapa. Dinamo është një mundësi shumë e mirë për çdo futbollist, aq më tepër që tani ka edhe financa të shëndosha.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"