“Nuk e di nëse do të kthehem në Tiranë”, futbollisti i Partizanit “SMS” nga Brazili

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 3, 2019 | 19:11

“Nuk e di nëse do të kthehem në Tiranë”, futbollisti i Partizanit “SMS” nga Brazili

Lukas Kardozo është nën kontratë me Partizanin deri në verën e vitit 2022, por s’është pranë ekipit që nga gushti i këtij viti. Braziliani doli jashtë planeve të trajnerit Franko Lerda dhe, si me stil, ashtu si dhe disa lojtarë të tjerë, u spostua dhe në fund nuk u la as të stërvitej me grupin.

kardozo

Largimi i brazilianit, por edhe i Emanuele Mensah, ndodhi për faktin se duhej ulur numri i lojtarëve të huaj në ekip, si dhe për t’u dhënë prioritet zëvendësuesve të tyre, Brajan Braun dhe Jozef Ekuban. Drejtuesit e Partizanit e huazuan Lukas Kardozon te Drita në Kosovë, por edhe atje braziliani nuk arriti të “ndriçonte”.

Para disa javësh klubi kosovar e ka ndërprerë marrëdhënien e bashkëpunimit me sulmuesin brazilian në pronësi të Partizanit. 25-vjeçari, pas “divorcit” me Dritën e Gjilanit, ka udhëtuar drejt vendlindjes ku edhe po pushon aktualisht. Si lojtar në pronësi të Partizanit, 25- vjeçari të ardhmen pret që ta mësojë pikërisht nga drejtuesit e kuq. Përmes një prononcimi për “Panorama Sport” Lukas u dërgon një “SMS” drejtuesve të Partizanit, pasi e ardhmja e tij është në dorë të kryeqytetasve.

kardozo

“Që pas largimit nga Kosova, ndodhem në vendlindje dhe mbetem në pritje për të mësuar të ardhmen. Unë jam nën kontratë me Partizanin deri në verën e vitit 2022, kështu që jam duke pritur që menaxheri im të qartësojë situatën me drejtuesit e kuq. Për momentin nuk e di nëse do të kthehem sërish te Partizani në janar apo klubi do të më huazojë në ndonjë skuadër tjerët”, u shpreh Lukas Kardozo nga Brazili për “Panorama Sport”.

kardozo abrurahimi

25-vjeçari nuk hynte te lojtarët e superpaguar te kampionët, pasi rroga e tij mujore rrotullohej te 3000-3500 euro, pagesë të cilën ai vijon ta përfitojë, ndonëse nuk është prezent në ekip. Lukas Kardozo ishte një nga përforcimet e para të kryera nga Partizani në merkaton e janarit të 2018-ës. Sulmuesi brazilian erdhi nga skuadra maqedonase e Pelisterit dhe shikohej si një përforcim me vlera për “demat”.

Por realiteti tregoi të kundërtën, pasi braziliani nuk arriti të përshtatej si duhet me ekipin. Në momentin që ai e kapi formën, pati fatin kundër, pasi në ndeshjen e 23 prillit ndaj Skënderbeut u dëmtua që në minutën e tretë dhe më pas kreu një ndërhyrje kirurgjikale në gju. Pas operacion Lukas nuk arriti që ta kapte formën.

ILIR CARA  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"