NOTAT, JAVA 3/ Kukësi dhe Flamurtari bëjnë detyrën, Tirana vazhdon të zhgënjejë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 4, 2018 | 22:32

NOTAT, JAVA 3/ Kukësi dhe Flamurtari bëjnë detyrën, Tirana vazhdon të zhgënjejë

VLERËSIM I PANORAMA SPORT

KUKËSI 8 – Presioni ishte i madh, por në fushë gjërat u bënë shumë të thjeshta. Arturo Rexhinaldo ishte njeriu i ndeshjes, duke shënuar tri gola dhe mundur i vetëm Tiranën. Të fitosh me kaq lehtësi ndaj një skuadre që në letër është rivale për vendet e para do të thotë shumë.

kukesi tirana

FLAMURTARI 8 – Një skuadër cinike që di të marrë rezultatin edhe kur nuk është në ditën më të mirë. Ilir Daja u ka dhënë një fizionomi tjetër kuqezinjve, edhe pse e pranon që skuadra nuk është ende ku ai dëshiron. Mirëpo, në një kampionat ku diferencat janë shumë të vogla, më të rëndësishme janë pikët. Flamurtari nuk dominoi në Gjirokastër, madje rrezikoi të pësonte më shumë se një herë, por në fund fitoi.

TEUTA 7 – Më në fund gjen golin dhe fitoren e parë. Kur shënon Latif Amadu në Durrës festojnë. Nuk bëri ndonjë lojë për të vënë duart në kokë ndaj Kamzës, por diti të zgjidhte ndeshjen me dy veprime klasi, fillimisht të Hakajt në krosimin në zonë, e më pas me goditjen me kokë të Amadusë. Për ekipin e Shkëmbin fitorja vlente më shumë se loja.

PARTIZANI 6.5 – Bën një pjesë të parë të mirë dhe arrin të shënojë me një rrjedhë logjike loje. Mirëpo, “fiket” në mënyrë të pakuptimtë në pjesën e dytë, duke rrezikuar të barazohet nga Kastrioti. Një Partizan që nuk bind se mund të jetë pretendenti kryesor për titull.

LAÇI 6.5 – Kjo skuadër nuk vdes kurrë. Edhe kur mungon cilësia, e mban në lojë grinta që kanë lojtarët. Luan si e barabartë në fushën e Skënderbeut dhe në fund merr një pikë, por duke pasur mundësi të arta për të fituar ndeshjen. Uzuni realizon një kryevepër dhe ikën si hero nga kurbinasit.

SKËNDERBEU 6 – Starti me dy fitore ishte fantastik, por barazimi ndaj Laçit tregoi limitet e këtij Skënderbeu. Jo më kot Shehi ka thënë disa herë se i duheshin përforcime të tjera, veçanërisht në mesfushë.

KAMZA 5.5 – E nisi me fitore ndaj Tiranës, u mund ndaj Partizanit duke zhvilluar një lojë bindëse dhe shpërdoruar një penallti, si dhe pësoi një disfatë minimale në Durrës në një takim të ekuilibruar. Por, befas drejtuesit e Kamzës largojnë trajnerin Bledar Devolli. Një vendim i habitshëm, që mbetet për t’u parë sesi do të reflektojë në ekip.

KASTRIOTI 5.5 – I afrohet barazimit ndaj Partizanit, duke zhvilluar një pjesë të dytë të kënaqshme. Mirëpo, për të marrë pikë nuk mjafton guximi atëherë kur ke pësuar gol dhe më pas kërkon të barazosh.

LUFTËTARI 5 – Luan ndoshta ndeshjen më të mirë të këtyre tri javëve, por sërish humbet. Një skuadër që duket se ka humbur besimin dhe këtë e dëshmojnë rastet për gol, ku lojtarët nuk tregohen të qetë para portës. Tri humbje radhazi konfirmojnë krizën në klubin bluzi.

TIRANA 4 – Pëson gol pa nisur mirë ndeshja dhe kthehet në një skuadër qesharake. Edhe atëherë kur shënon duke ngushtuar diferencën, bën të njëjtat gabime. Nga mbrojtja në sulm, bardheblutë nuk bindin askënd.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"