NOTAT, JAVA 13/ Marrin “frymë” Luftëtari e Kastrioti, Tirana dhe Kamza marrin… leksione

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 14, 2018 | 20:06

NOTAT, JAVA 13/ Marrin “frymë” Luftëtari e Kastrioti, Tirana dhe Kamza marrin… leksione

VLERËSIM I PANORAMA SPORT

Luftëtari

Luftëtari 8 – Katër pikë në dy ndeshjet e fundit dhe çfarë përmbysje ndaj Tiranës. E mbyll pjesën e parë në humbje 0-1 dhe nuk zhbalancohet, por vazhdon të bëjë të njëjtën lojë sikur të ishte 0-0. Pasi barazon me penalltinë e Shkurtajt, beson te përmbysja deri në fund. Sulmuesi kenian, Ismael Dunga, bëhet hero me një supergol, duke i dhënë frymëmarrje skuadrës në një moment delikat të kampionatit.

Kastrioti 7 – Një fitore e çmendur kundër Kamzës, me dy gola që në pjesën e parë. Trajneri Nica bëri lëvizjet e duhura, duke bllokuar totalisht manovrën sulmuese të Kamzës. Roxher dhe Henri ishin lojtarët që bënë diferencën, me këtë të fundit që shënoi pas një aksioni fantastik.

Skënderbeu 7 – Vuan shumë në pjesën e parë, madje duke pasur fat, pasi mund ta kishte mbyllur në disavantazh. Portieri Teqja është në një ditë të shkëlqyer dhe mban në lojë deri në fund skuadrën, derisa shfaqet Dejvi Bregu për të ndryshuar fatin e takimit. Një asist mjeshtëror i Vangjelit kthehet në gol nga vlonjati në limitin e ndeshjes. Skënderbeu nuk dorëzohet kurrë dhe këtë e konfirmoi.

Partizani 7 – Bën detyrën në shtëpi, por vlerat shtohen edhe më shumë kur thyen një skuadër si Laçi, që u deshën 13 javë për të pësuar humbjen e parë në transfertë. Vendos sërish Jurgen Bardhi, madje pas një goditjeje me kokë. Fitore e merituar dhe të kuqtë që marshojnë.

Teuta 6.5 – Konfirmohet forca e tretë e kampionatit, duke treguar “dhëmbët” ndaj Kukësit në “Selman Stërmasi”. Shënon me Kamara, por kujton se gjithçka mbaroi dhe nuk di të shfrytëzojë avantazhin në pjesën e dytë. Gjithsesi, skuadra e Shkëmbit bind dhe nuk është rastësi që në gjashtë ndeshjet e fundit nuk njeh humbje.

Kukësi 6 – E njëjta histori me skuadrën e Cungut. Pëson gola naivë, më pas reagon mirë, por në fund nuk merr atë që duhet. Barazimi ndaj Teutës nuk mund të quhet fundi i botës, por për një skuadër që synon titullin dhe e sheh veten 10 pikë larg kreut, është hap fals.

Flamurtari 5.5 – Luan mirë në Korçë, madje i imponohet Skënderbeut në pjesën e parë. Mund dhe duhet të kishte shënuar të paktën një gol me rastet që krijoji, ndërsa në fund u “tradhtua” nga një vendosje totalisht e gabuar e mbrojtësve Alla dhe Siljanovski, të cilët ishin në “gjumë” në momentin që Vangjeli krosoi në zonë te Bregu.

Laçi 5 – Skuadër kompakte që e pëson ndaj Partizanit nga një episod. I krijon shanset për të barazuar, por Alban Hoxha iu mohon golin.

Tirana 4 – Një “film” i parë. Edhe pse prodhon lojë dhe shënon thuajse në çdo takim, sërish përmbyset. Pjesët e dyta janë një makth për bardheblutë, që edhe ndaj Luftëtarit treguan se janë shumë të brishtë.

Kamza 3.5 – Merr një leksion të mirë nga Kastrioti, duke vulosur krizën. Nuk mund të presësh më shumë nga një ekip që ndryshon dy trajnerë për 13 javë…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"