Notat e skuadrave/ Luftëtari i mahnin të gjithë, Kamza dhe Kukësi në pikiatë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 24, 2017 | 22:13

Notat e skuadrave/ Luftëtari i mahnin të gjithë, Kamza dhe Kukësi në pikiatë

Vlerësim i “Panorama Sport”. Java e 15-të e Kategorisë Superiore

Luftëtari 8.5 – Nëse menduat se fitorja ndaj Partizanit në shifrat 5-0 ishte surprizë, apo Luftëtari kishte thjesht një shpërthim të momentit, e kishit gabim. Bluzinjtë treguan të premten se kanë nisur kthesën e madhe, pasi triumfuan në transfertën e vështirë të Kukësit.

Ndeshja

Flamurtari 8.5 – Pritej që vlonjatët ta kishin më të vështirë ndeshjen ndaj Kamzës, ekipi që kërkonte kthesën në kampionat pas dy humbjeve, por të besuarit e trajnerit Duro nuk bëjnë asnjë hap fals. Shënojnë tre gola, që i japin tri pikë dhe vendin e dytë në tabelën e klasifikimit.

Skënderbeu 7.5 – Diferenca që kanë me ndjekësit u jep qetësi dhe korçarët bëjnë atë që dinë më të mirë në ndeshjen ndaj Teutës në shtëpi: Fitojnë. E mbyllin vitin si kampionë dimri dhe me një diferencë prej 11 pikësh nga ndjekësi më i afërt.

Partizani 7.5 – Pas “tërmetit” që pësuan javën e shkuar, u mendua se të kuqtë nuk do të ishin të aftë të reagonin në shtëpi. Por, skuadra e Starovës arriti të gjente forca dhe të bindte si me lojë ashtu edhe me rezultat në sfidën e luajtur ndaj Vllaznisë në kryeqytet.

Laçi 7.5 – Ndoshta Lushnja mund të jetë një skuadër e lehtë për t’u mundur në letër, por mos harroni se Kukësit i ka shkaktuar humbje. Por, për kurbinasit pak rëndësi ka një gjë e tillë, pasi ata në shtëpi nuk gabojnë dhe sigurojnë një trepikësh që u jep vendin e tretë në tabelën e klasifikimit.

Teuta 4.5 – Durrsakët e kanë të pamundur që të bëjnë diçka përballë një Skënderbeu, superior në çdo drejtim. Humbja në Korçë asnjëherë nuk është dramë, edhe pse nga durrsakët pritej diçka më shumë në një transfertë të tillë. Vllaznia 4.5 – Askush nuk mund ta shpëtojë Vllazninë e këtij sezoni. Skuadra e drejtuar nga Gjoka ka brenda shumë emra, por pak cilësi në fushën e lojës. Kuqeblutë nuk shfrytëzuan dot momentin e vështirë që po kalonte Partizani dhe, pas humbjes në kryeqytet, vazhdojnë të jenë në zonën e ftohtë të rënies nga kategoria.

Lushnja 4 – Të bindur se u nevojiten përforcime për të siguruar pikë, myzeqarët kanë shkuar të dorëzuar në ndeshjen ndaj Laçit. Tre gola të pësuar flasin për probleme reale në mbrojtje, por edhe në repartin e sulmit. Ndërkohë që shtatë pikë diferencë nga zona e shpëtimit duken shumë për këtë ekip.

Kamza 4 – Surpriza me emrin “Kamzë” duket se ka përfunduar. Ndaj Flamurtarit, skuadra e Ndreut pësoi humbjen e tretë rresht në kampionat, e cila është reflektuar edhe në tabelën e renditjes, ku kryeqytetasit kanë humbur disa pozicione.

Kukësi 4 – Mos ndoshta po mendoni për skuadrën kampione në fuqi? Kukësi i këtij sezoni nuk ka asgjë të përbashkët me atë të një viti më parë, ku humbjen e vetme sezonale e pësoi në takimin e fundit të kampionatit. Por, këtë vit gjërat kanë ndryshuar dhe verilindorët, me humbjen e fundit në shtëpi me Luftëtarin, janë 12 pikë larg vendit të parë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"