Një orë bisedë kokë më kokë, zbulohet se çfarë kanë premtuar kryebashkiaku i Vlorës dhe Sinan Idrizi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 27, 2020 | 11:52

Një orë bisedë kokë më kokë, zbulohet se çfarë kanë premtuar kryebashkiaku i Vlorës dhe Sinan Idrizi

Kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli, është parë dje në stadiumin “Flamurtari”, ku për rreth 60 minuta ka takuar “kokë më kokë” administratorin e klubit, Sinan Idrizi. Duke qenë se për arsye pune mungoi në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, Leli ka shkuar dje në klub për të biseduar gjatë me Idrizin. “Panorama Sport” mëson se Leli i ka shprehur mbështetje maksimale administratorit dhe i ka thënë se shumë shpejt Këshilli Bashkiak do shqyrtojë kërkesat e tij.
Sinan-Idrizi-Dritan-Leli-750x430
Po ashtu, i ka kërkuar administratorit Idrizi të bëjë merkato cilësore me qëllim që Flamurtari të rikthehet shpejt në Superiore. Leli ka shprehur gatishmërinë për ta ndihmuar Idrizin, nëse administratori e kërkon një gjë të tillë. Në një mbledhje të posaçme të Këshillit Bashkiak pritet të diskutohen dhe miratohen projektet për investimet në Pyllin e Sodës, që do të thotë nisje e zbatimit të paketës “Vlora Sport”. Por Idrizi i ka thënë Lelit se ashtu si edhe 6 vitet e kaluara, nuk do të kërkojë asnjë fond nga bashkia.

TRAJNERI I RI – Sinan Idrizi është takuar dje edhe me trajnerin e ri të Flamurtarit, Dritan Resuli, të cilit i ka shprehur gjithë mbështetjen për të ndërtuar ekipin e ri, duke i plotësuar çdo dëshirë. Për “Panorama Sport”, administratori Idrizi tha se Resuli është zgjedhja e duhur. “I uroj suksese trajnerit Dritan Resuli. Jam shumë i bindur se do të bëjë më të mirën te Flamurtari, në përmbushje të objektivave tanë. Ka ardhur koha që Resuli të provohet edhe si trajner i ekipit të parë, pasi ka bërë mirë si zëvendëstrajner dhe si trajner i ekipeve të moshave”, tha Idrizi. Administratori nuk lë pa thumbuar Eqerem Memushin. “Eqeremin e prisja te Flamurtari, por më tha se do shkonte në Orikum. Në këto kushte bëra zgjedhjen më të mirë me emërimin e Resulit si trajner”, shtoi Idrizi.

PËRGATITJET – Ende nuk ka një datë zyrtare kur do grumbullohet ekipi, por trajneri Dritan Resuli i ka gjërat të qarta. Pasi të krijojë grupin e lojtarëve, puna do të nisë menjëherë. Gjasat janë që brenda kësaj jave Flamurtari të dalë në stërvitje. Resuli ka piketuar lojtarët që do ketë në përbërje, si nga ata të akademisë, ashtu edhe disa nga titullarët e grupit të vjetshëm. Trajneri ka një listë me dëshirat e merkatos.

ERMAL SIKA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"