Një muaj si “i plotfuqishmi” i Flamurtarit, Ferko: Troisi na solli qetësi, Flores… “bonus”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 30, 2022 | 23:43

Një muaj si “i plotfuqishmi” i Flamurtarit, Ferko: Troisi na solli qetësi, Flores… “bonus”

Fiks një muaj pasi u bë “i plotfuqishëm”, Alfred Ferko skanon ecurinë e Flamurtarit. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, drejtori teknik vlerëson se kanë kontingjentin e duhur për të luftuar në të dyja frontet. Prioritet mbetet ngjitja e menjëhershme në elitë, por jashtë vëmendjen nuk kanë as Kupën e Shqipërisë.

SINAN IDRIZI ALFRED FERKO 3

Me këtë mision do të udhëtojnë edhe në Shkodër më 2 tetor, për t’u kualifikuar. Vlerëson se kanë bërë zgjedhjet e duhura në merkato, ndërsa pritshmëri të mëdha ka nga afrimi më i fundit. Nuk ngurron që të flasë edhe për trajnerin Marcelo Troisi, që sipas 57-vjeçarit, ka kthyer qetësinë në Vlorë.

Të shumtë ishin skeptikët, por Flamurtari mundi Vllazninë dhe ka shanse që të kualifikohet në Kupën e Shqipërisë. E prisnit?
Na gëzon fitorja, por kualifikimi është natyrisht i hapur. Ishte e vështirë, por u përgjigjëm me një lojë jashtëzakonisht të mirë. Reaguam pas golit dhe pa frikë mund ta themi ishte një ndeshje për t’u duartrokitur nga Flamurtari.

A do ta “mbroni” fitoren edhe në Shkodër?
Rezultati na jep të drejtë të shpresojmë për të shkuar larg. Kemi pretendimet tona, ndaj në Shkodër do të shkojmë për t’u kualifikuar, dhe pse jo duhet ta çojmë deri në fund rrugëtimin tonë. Derisa na avantazhon fitorja në ndeshjen së parë, pse jo të shkojmë sa më larg të jetë e mundur në Kupë. Pa harruar objektivin e madh, që është ngjitja e Flamurtarit në Superiore.

Pra, po thoni që i keni forcat për të luftuar edhe për Kupën e Shqipërisë?
Kontingjentin e kemi. Jemi të detyruar edhe për vetë historinë dhe pretendimet tona, që të luftojmë në të dyja frontet.

Me Besën do të përballeni të shtunën. Si është përgatitur skuadra dhe a prisni fitoren e radhës?
Pas Turbinës dhe ndeshjes me Vllazninë, situata është më e qetë dhe ka shumë entuziazëm. Besoj se ndeshja me Besën është një test i rëndësishëm për të vazhduar serinë pozitive të rezultateve.

Me skuadrën është bashkuar edhe Flores. E shikoni si një armë të fortë për vetë eksperiencën e brazilianit?
Një eksperiencë të madhe, një “bonus” për ne do të thoja. Ka qenë një ndër lojtarët më të rëndësishëm në kampionatin tonë kur luante për Kukësin. Besoj se do të jetë një shtysë e madhe për ne dhe objektivat tanë. Pastaj i takon trajnerit të vendosë për pjesën tjetër. Natyrisht që do të duhet pak më kujdes për të gjitha gjërat.

Mendoni se Troisi ka sjellë ndryshime në skuadër?
Po, ka sjellë ndryshime edhe në mënyrën e zhvillimit të lojës. Por do të thosha më tepër ka krijuar njëfarë entuziazmi në ekip me rezultatin. Pasi çdo gjë varet nga rezultati, por edhe nga gjendja psikologjike dhe qetësia. Është një trajner që punon dhe që ka dëshirë për të arritur objektivat që ka caktuar klubi.

Ndalemi pak te merkatoja. Ishin këto afrimet e duhura për Flamurtarin?
Merkatoja është kjo që është, dhe të gjithë lojtarët kanë eksperiencë. Jemi të bindur që me këtë grup do të shkojmë përpara.

Ju e thatë edhe vetë që objektivi mbetet Superiorja. Keni shpresë se deri në fund do të arrihet?
Duke parë me kujdes të gjitha ekipet dhe ndeshjet e para, vlerësoj që të gjithë kanë pretendimet e tyre, por Flamurtari është pretendent për t’u ngjitur në Superiore, duke respektuar të gjitha ekipet. I kemi mundësitë dhe forcat për të realizuar objektivin e madh që na është vënë.

Keni fiks një muaj në detyrë. Si po ju duket si drejtor?
Kjo detyrë e re më mbush me entuziazëm, duke falënderuar njëkohësisht edhe presidentin Sinan Idrizi. Ka entuziazëm, është diçka e re, por më kthen në ato vitet që unë kam luajtur. Ky është pozicion pak ndryshe, por entuziazmi nuk mundon dhe dëshira është e madhe për të realizuar objektivat tona.

Figura të shquara të sportit në Vlorë e kanë vlerësuar pozitivisht emërimin tuaj si drejtor i klubit. Keni një koment?
I falënderoj të gjithë për fjalët e mira të tyre në drejtimin tim. Kanë qenë gjithmonë marrëdhëniet korrekte, marrëdhëniet e punës me kolegët e mi. Kemi përjetuar vite të bukura, emocione. Shpresoj t’i përjetoj edhe këto si drejtues në klubin e Flamurtarit. Ua kam shprehur këtë edhe ekipit e lojtarëve. U kam thënë se natyrisht që dikush në Vlorë më përshëndet akoma dhe thotë fjalë të mira, por do të vlente kjo edhe për detyrën e re për momentin e ri, që duke realizuar objektivat të jem akoma më i kënaqur se në kohën si futbollist.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"