Nisin punimet në “Loro Boriçi”, FSHF-ja ndërhyn pas 4 vitesh për…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 22, 2021 | 15:01

Nisin punimet në “Loro Boriçi”, FSHF-ja ndërhyn pas 4 vitesh për…

E ndërtuar në vitin 2017, pista e tartanit në stadiumin “Loro Boriçi” nuk rezistoi shumë, pasi siç dihet, në një kohë të shkurtër nga përurimi, ajo degradoi tërësisht. Madje, ky terren, ndryshe nga “Elbasan Arena”, nuk e mori as certifikimin nga ndërkombëtarët, duke “mos e kaluar klasën”. Punimet e dobëta të firmës kanë shkaktuar jo pak polemika, duke sjellë edhe një përplasje mes qeverisë dhe Federatës Shqiptare të Futbollit. Tartani u ça dhe u fry thuajse gjatë gjithë pistës, duke e bërë terrenin tepër të rrezikshëm për sportistët. Për këtë arsye FSHF kohë më parë e ka hedhur në gjyq kompaninë ndërtuese, teksa vendimi ka qenë në favor të federatës, ndërsa kompania do të jetë e detyruar ta ndërtojë nga e para.
unnamed (6)
Madje, tashmë kanë nisur edhe punimet, teksa po hiqet tartani dhe asfalti, ndërsa rreth muajit mars, kur të jenë kushte klimaterike më të përshtatshme, do të shtrohet tartan i ri. Të gjitha këto punime do të bëhen me kosto të mbuluara nga kompania, e cila ka qenë përgjegjëse për cilësinë e dobët të ndërtimit në 2017-ën. Kështu, atletika shqiptare merr një lajm të mirë, teksa brenda këtij viti pritet që të ketë në dispozicion për garat një terren të ri.

REAGIMI I FSHF-së
arben dervishaj

Lidhur me këtë problem, gazeta ka kontaktuar me anëtarin e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Arben Dervishaj, i cili sqaron çështjen e terrenit të “Loro Boriçi”: “Pista e tartanit në stadiumin e Shkodrës do të ribëhet nga e para me kosto zero për federatën. Për këtë u deshën disa procedura e dokumentacione dhe është dakordësuar që të nisë prishja. Do të hiqet edhe pista e asfaltit dhe do të shtrohet nga e para. Më pas, besoj në muajin mars, me shpresën që kushtet atmosferike të jenë të duhurat dhe të jetë asfalti i gatshëm për vendosjen e tartanit, do të bëhet edhe shtrimi. Gjithçka me shpenzime të kompanive, për shkak se në kontratë ishte parashikuar që në rast dëmtimi apo mosfunksionimi në cilësinë e duhur, do të bëhej riparimi i plotë. Më pas do të kërkohet edhe leja nga organizmat europianë për zhvillimin e garave ndërkombëtare në pistën e tartanit”, shpjegoi për “Panorama Sport” Arben Dervishaj, përgjegjës për infrastrukturën në qeverinë e futbollit në vend.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"