Nisin largimet e para nga skuadra e Kategorisë së Parë, 22-vjeçari ndiqet me interes nga klubet e Superiores

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 9, 2022 | 14:30

Nisin largimet e para nga skuadra e Kategorisë së Parë, 22-vjeçari ndiqet me interes nga klubet e Superiores

U bë gati një javë që Besa gjeti trajnerin për sezonin 2022-2023. Dorjan Bubeqit i skadoi kontrata dhe Nexhat Bizhdili e zëvendësoi me Gugash Maganin.

hyseni

Do të jetë ai në “timonin” e kavajasve në edicionin më të luftuar të historisë së Kategorisë së Parë. Ai pranoi ofertën e presidentit dhe që tani ka nisur projektimin e ekipit.

Dhe duhet thënë se do të ketë punë të madhe.

Verdhezinjtë duhet të rindërtohen nga “themelet”.

Në plane janë të paktën 12 afrime, megjithatë ende nuk mund të flitet për emra dhe as negociata.

Nga organika e sezonit të fundit nuk ka më shumë se 4-5 futbollistë që mund t’i vlenin teknikut për të ardhmen dhe sidomos kur dihet që i ka vënë objektiva të mëdhenj vetes: të tentojë ngjitjen në elitën e futbollit shqiptar.

E gjithë kjo situatë paralajmëron largime dhe afrime masive në radhët e verdhezinjve. Dhe firot e para kanë nisur.

Burime pranë klubit saktësojnë për “Panorama Sport” se ka ikur një ndër futbollistët më të mirë sezonin e shkuar.

Flasim për beratasin Eraldo Hyseni, që ka marrë zyrtarisht lejekalimin.

Ai del kështu futbollist i lirë, por duket se shpejt do të gjejë edhe ekip.

Gazeta mëson se 22-vjeçari është në bisedime me dy klube të Kategorisë Superiore.

Emrat e klubeve nuk bëhen publikë, por ajo që humb shumë nga ky largim është Besa.

Kujtojmë se pas janarit, nga radhët e kavajasve u larguan futbollistët e saj më me përvojë, si Nertil Hoxhaj, Mikel Canka apo Alsid Tafili.

Kjo “gropë” është cilësuar edhe si një nga shkaqet që çuan ekipin në atë pikë sa të diskutonte edhe rënien në Kategorinë e Dytë, pa përmendur çështjen e famshme të stadiumit (drejtuesit do të bëjnë çmos që federata dhe bashkia të investojnë të paktën te ndërrimi i fushës, që vitin tjetër të luajnë në shtëpi dhe të mos detyrohen që shkojnë në Luz).

Pjesë e organikës mbetën titullarë si Skerdian Perja, Edmond Hoxha, Flavio Meçja, Erald Hyseni apo edhe Arbër Deliu që erdhi në formë huazimi nga Laçi.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"