Ngjarja në Kuçovë, ish-futbollisti: U martova 1 javë pas revoltës, mendova fundin tragjik

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 11, 2018 | 20:57

Ngjarja në Kuçovë, ish-futbollisti: U martova 1 javë pas revoltës, mendova fundin tragjik

Besnik Duli është një prej ish-lojtarëve të Naftëtarit që e ka përjetuar revoltën popullore në Kuçovë më 5 qershor 1988 pas sfidës me Dinamon. Duli nuk luante në atë takim, pasi ishte i dënuar, por ka qëndruar në stol dhe në dhomat e zhveshjes. Në një rrëfim për gazetën “Panorama Sport”, Duli rrëfen çfarë ndodhi në Kuçovë dhe rrezikun se tifozët mund t’i vendosnin zjarrin godinës së dhomave të zhveshjes. Aktualisht, trajneri i Veleçikut tregon se pas një jave kishte dasmën, ndërsa në ato orë tmerri rrëfen ankthet dhe panikun që ka ndier.

qqdq

Më 5 qershor të këtij viti u mbushën 30 vite nga revolta që shpërtheu në Kuçovë pas ndeshjes Naftëtari-Dinamo. Ju keni qenë pjesë e skuadrës kuçovare në atë kohë. Si mbërriti Naftëtari deri në atë ndeshje shtesë dhe a ishit në fushë në atë takim?

Në atë vit, Naftëtari ishte në një rinovim total. Brezi i mëparshëm ku spikasnin Prifti, Koroveshi, Hazizi apo Gega e kishin lënë futbollin. Vetëm Koçi kishte mbetur nga brezi i vjetër, ndërsa ne të tjerët të gjithë ishim 25, 26 apo 27-vjeçar. Voda, Fraholli, Makashi dhe Meta ishin akoma më të rinj nga 21, 22 vjeç. Ishte një ekip premtues. Në rregulloren e FSHF-së thuhej që dy ekipet e para në Kategorinë e Dytë ngjiteshin në të Parën, Traktori i Lushnjës dhe Naftëtari. Fillimisht, në sfidën e parë mes Traktorit dhe Naftëtarit, fitoi skuadra lushnjare 3-0.

Në atë takim, trajneri i kuçovarëve, Fatbardh Deliallisi bëri shumë ndryshime në formacion dhe skuadra në fushë nuk iu përgjigj. Në kampionat luhej me një formacion tjetër, ndërsa në atë takim u bënë shumë ndryshime që sollën edhe humbjen. Më vonë marrim vesh që do bëhej ndeshje “play-off”-i me Dinamon. Në atë takim nuk kam qenë në fushë, pasi isha i dënuar, por qëndrova në stol, pasi në atë kohë lejohej të rrije në stol.

Duli

Kishte tension përpara fillimit të ndeshjes?

Gjatë të gjithë javës përpara ndeshjes, në Kuçovë të gjithë thoshin, “ose fitore me Dinamon, ose skandal”. Tifozët ishin shumë dyshues duke parandier se do të favorizohej skuadra dinamovite. Tensioni u krijua artificialisht nga forcat e shumta policore që mbërritën në Kuçovë që të shtunën, një ditë përpara ndeshjes. Ata e acaruan më shumë situatën në atë qytet. Gjatë të gjithë javës, të gjithë e dinin se arbitër do të ishte Arsen Hoxha bashkë me Plarent Kotherjen dhe Dhori Priftin, të cilët ishin arbitrat më të mirë të kohës. Por, çuditërisht, përpara ndeshjes u shfaq Besnik Kaimi dhe aty mësuam se ajo ndeshje do të gjykohej nga ai arbitër.

Si nisi loja dhe kujtoni ndonjë moment të veçantë në pjesën e parë?

Më kujtohet që e ngacmoja shokun tim, Ilir Bozhiqin, i cili luante me Dinamon. Shkoja mbrapa portës së tij dhe e ngacmoja, pasi në atë takim e shpëtoi skuadrën e tij nga 3-4 raste flagrante. Në pjesën e parë, Dinamo ishte inekzistente në fushë, ndërsa arbitrimi korrekt. Një prej komandantëve të gardës që më njihte, më kërkoi që të ulesha në stol, ndërsa Bozhiqi nuk u mërzit nga ato që i thashë, pasi e kisha mik dhe qëndruam gjatë edhe pas ndeshjes. Pjesa e parë përfundoi 0-0.

Besnik-Duli

Çfarë ndodhi në pjesën e dytë?

Duhet thënë se gjithçka ishte normale në stadium. Në pjesën e dytë, gjyqtari Besnik Kaimi nisi ta ulte shumë tempin e lojës me ndërhyrjet që bënte. Madje, kur e kam takuar më vonë që ishte vëzhgues nëpër ndeshje, i kam thënë: “nuk bëre ndonjë gjë të madhe. Ti bëre atë që bën çdo gjyqtar në ndeshje të mëdha”. I uli tempin Naftëtarit me faullet që akordonte që në shumicën e rasteve ishin të paqena.

Naftëtari vazhdoi me presion edhe në pjesën e dytë. Në një kundërsulm të Dinamos, i sapofuturi Ben Vila shënoi një eurogol nga një distancë e largët ku topi rrafsh me tokën përfundoi në rrjetë. Aty vdiq çdo gjë për Naftëtarin. Megjithatë, përpara se të shënonte skuadra kryeqytetase, u hap lajmi sikur është plagosur një tifoz. Në minutat e fundit, policët kaluan nga brenda fushës që ndodheshin në mes të tifozëve. Loja u ndërpre 2-3 herë. Kishte edhe 3-4 minuta lojë, ndërsa gjyqtari Kaimi i ra bilbilit, duke sinjalizuar fundin e ndeshjes me idenë që të shmangte revoltën që dukej se do të shpërthente.

Kucova

Cila ishte shkëndija që ndezi revoltën në fund të ndeshjes?

Ishte diçka shumë e shpejtë. Kryetari i Degës së Beratit në atë kohë, Bardhosh Lamçe, u godit me gurë nga tifozët që e gjakosën në pjesën e sipërme të buzës. Gurët vërshonin nga të gjitha anët, ndërsa nisën të ndërhyjnë forcat e rendit. Në fushë vërshuan tifozët, ndërsa të gjithë lojtarët hynë në dhomat e zhveshjes. Kujtoj që 2-3 lojtarë të Naftëtarit që ishin në fushë, i shkuan arbitrit. Dhe të gjithë hymë në dhomat e zhveshjes.

Çfarë ndodhi brenda tyre dhe kur dolët prej aty?

Në dhomat e zhveshjes ishim të gjithë dhe kujtoj që kam qëndruar me Agim Canajn, Topçiun, Rudi Vatën. Brenda dhomave kishte shumë frikë dhe panik. Dëgjuam që tifozët do t’i vendosnin zjarrin të gjithë godinës. Të gjithë ishin të irrituar.

Ndjetë frikë për jetën në ato orë?

Sigurisht, kisha shumë frikë. Këtë ma shtonte më shumë fakti që fiks pas një jave kisha dasmën. Madje, mbi tavolinën e dhomës së zhveshjes kisha edhe ftesat e dasmës që do t’i shpërndaja. Madje, atë ditë përpara ndeshjes kisha transportuar rrobat dhe disa gjëra të tjera nga shtëpia e nuses te e imja. Isha përgatitur për festë për ditën më të rëndësishme të jetës. Në ato momente në dhoma më kalonin qindra mendime në kokë.

Duli Veleciku

Nga dhomat e zhveshjes kemi dalë në orën 11 të natës. Kur kemi parë rrugën e mbushur plot me gurë dhe makinat me xhama të thyer dhe të përmbysura, jemi çuditur. Më pas, në orën 12 të natës nisi aksioni policor ku rreth 100 persona që ishin më aktivët gjatë revoltës, u shoqëruan në komisariat. Madje, policia arrestoi edhe tre lojtarë të Naftëtarit, Koçin, Makashin dhe Metën.

Ka shumë diskutime nëse ishte një revoltë e menduar kundër sistemit apo u ngrit aty për aty. Sipas perceptimit tuaj, si ishte?

Duke parë atmosferën dhe thirrjet gjatë ndeshjes, mendoj se gjithçka ishte spontane aty për aty dhe nuk kishte lidhje me politikën. Tifozët shpërthyen ndaj padrejtësive të arbitrit dhe favorizimit që po i bëhej Dinamos. Mendoj se nuk e besonte njeri se ajo revoltë do të merrte përmasa të tilla. Shpëtuam paq nga e gjithë ajo histori që mund të kishte përfunduar në tragjedi për ne që u ndodhëm atë ditë në stadiumin e Kuçovës. Që nga ajo ndeshje, Naftëtari nuk ka arritur të ngrihet më në nivele të larta. Mungesa e portierit dhe e imja në atë takim, besoj se kanë ndikuar duke ditur që ishim lojtarë formacioni.

BESAR BOZGO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"