Ngjarja e çuditshme në Kosovë, arrestohet i dehur trajneri i njohur… në shtëpinë e kryetari të bashkisë së Prishtinës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 26, 2021 | 22:38


Ngjarja e çuditshme në Kosovë, arrestohet i dehur trajneri i njohur… në shtëpinë e kryetari të bashkisë së Prishtinës

Një ngjarje shumë e çuditshme ka ndodhur në Kosovë në ditën e fundit. Policia ka konfirmuar se ka arrestuar trajnerin e njohur Afrim Tovërlani, në shtëpinë e kryebashkiakut të Prishtinës, Shpend Ahmeti.

ahmeti toverlani

Sipas policisë, Tovërlani është arrestuar pasi “ka qenë nën ndikim të alkoolit dhe gjatë kontrollit tek i dyshuari është gjetur dhe konfiskuar një armë e ftohtë-thikë”. Një ngjarje e pazakontë që ka tronditur opinionin futbollistik në Kosovë ku Tovërlani njihet si një nga trajnerët më të mirë dhe ka fituar disa trofe në klube të ndryshme.

Por ndërkohë, vetë kryetari i bashkisë, Shpend Ahmeti, nëpërmjet një statusi në rrjetet sociale, ka theksuar se nuk ka pasur asnjë sulm me thikë ndaj tij, siç aludohej në media, duke dhënë një shpjegim edhe më të pazakontë pasi në ato momente nuk kishte qenë në shtëpi.

“Nuk ka pas kurrfarë ballafaqimi fizik e as luftë më thika. Afrimin e njoh moti dhe e kam mik. Ka qenë mbrëmë të shtëpia kur nuk kam qenë unë dhe e ka thirrë vetë policinë e cila me të arritur e ka arrestuar. Nuk ndihem as i kërcënuar e as i rrezikuar nga Afrimi edhe pse vizitat e vona në shtëpi kur nuk jam prezent dhe me fëmijë të mitur prezent nuk janë të mirëseardhura. Mirëpo, nuk ka pas as fjalosje e as ndonjë fjalë të rëndë me fëmijët dhe familjen. Shpresoj që këtë incident Afrimi ta sqarojë e kalojë sa më lehtë me organet e rendit. Duke e pas mik qe një kohë të gjatë nuk besoj që ka pas qëllim të sulmit apo kërcënimit”, shkruante Ahmeti në shpjegimin e tij.

PANORAMASPORT.AL