Nga titulli i fundit deri më sot, Partizani i Gegës më i miri i çerekshekullit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 11, 2019 | 14:42

Nga titulli i fundit deri më sot, Partizani i Gegës më i miri i çerekshekullit

Ka mbetur edhe një ndeshje, Skënderbeu-Laçi, që të mbyllet java e 21-të e Superiores. Cilido qoftë rezultati i kësaj sfide, Partizani e ka të qartë pozicionin në lidhje me rivalët direkt. Pas fitores 2-0 me Kastriotin, e luajtur të shtunën në “Selman Stërmasi”, e diela ka qenë ditë dhuratash për skuadrën e Skënder Gegës.

partizani

Fillimisht kanë qenë rivalët historikë të Tiranës ata që me fitoren 1-0 ndaj Kukësit konfirmuan distancën me +8 pikë nga verilindorët e vendit të dytë. Më pas, ka qenë radha e Kamzës për t’i bërë një tjerët dhuratë “demave”, pasi ndaluan rivalen tjetër, Teutën, duke i marrë një pikë në Durrës.

Në 21 javë kampionat, skuadra e trajnerit Gega ka një ecuri që askush nuk e kishte parashikuar në fillim të sezonit. “Demat” kryesojnë me 46 pikë; 14 fitore, 4 brazime, 3 humbje; golavarazh 23-9. Që nga titulli i fundit kampion, 1992-1993 dhe deri më sot, nuk mund të gjesh një Partizan kaq rezultativ në 21 javë kampionat, krahasuar me rivalët.

Partizani e ka mbajtur edhe herë të tjera vendin e parë, por në asnjë rast nuk ka qenë kaq i shkëputur, +8, nga rivali më i afërt. Të gjithë statistikat flasin në favor të skuadrës së drejtuar nga trajneri Skënder Gega, i cili që në start tregoi autoritetin e tij dhe ndonëse nuk premtoi titull, pohoi se synon të sjellë frymën që e ka karakterizuar Partizanin në vitet e lavdishme, ku edhe ai ka qenë futbollist.

Partizani ecuria

Në dekadën e fundit të kuqtë kanë kaluar peripeci të shumta, madje ka pasur periudha që u vu në diskutim edhe ekzistenca si klub. Pas kthimit në Superiore, në verën e 2013-ës dhe deri më sot në asnjë rast nuk kemi parë një Partizan kaq prodhimtar në 21 javët e para të kampionatit. Skuadra e Gegës dallon jo vetëm nga pozicioni që mban në renditje dhe distanca e krijuar me ndjekësit, por edhe pikët e fituara, 46.

Më afër i qëndron Partizani i sezonit 2015-2016 me 43 pikë, por që ishte 6 pikë larg Skënderbeut kryesues. Krahasimi me sezonin e shkuar është si nata me ditën, ndonëse ishte edicioni ku u shpenzua më shumë. Vjet, në 21 javë kishin 28 pikë dhe ishin të shtatët.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"