Nga ortaku Gjidodaj te të rinjtë Marku e Përloshi, Dinamo sfidon Besëlidhjen me një koloni lezhjanësh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 6, 2022 | 13:23

Nga ortaku Gjidodaj te të rinjtë Marku e Përloshi, Dinamo sfidon Besëlidhjen me një koloni lezhjanësh

Ndeshja e javës së 5- të është e veçantë për Dinamon. Blutë presin Besëlidhjen në “Selman Stërmasi”, në një ndeshje “familjare” për një pjesë të mirë të lojtarëve.

DINAMO

Kurrë më parë kryeqytetasit nuk kanë pasur në përbërje kaq shumë lezhjanë, edhe pse shkolla e futbollit të këtij qyteti njihet për nxjerrjen e elementëve cilësorë. Për këtë arsye do të jetë një sfidë speciale dhe ndoshta edhe një plus për blutë.

GJIDODAJ Gjithçka nis nga kupola drejtuese. Kristjan Gjidodaj është biznesmeni nga Lezha që në verë iu bashkua presidentit Adrian Bardhi si ortak te Dinamo.

Të dy kanë një projekt ambicioz për t’i kthyer kryeqytetasit në nivelet më të larta, në brandin që përfaqëson realisht ky emër në futbollin shqiptar. Pas ardhjes së Gjidodajt te blutë, erdhën edhe disa lojtarë nga qytetit i Lezhës.

TITULLARËT Nga “kolonia” lezhjane, tre lojtarë deri tani janë titullarë në formacionin e trajnerit Nevil Dede. I pari është portieri Simon Simoni, i cili luan sezonin e dytë me blutë dhe është një nga pikat më të forta të tyre.

Në 5 ndeshje të këtij sezoni ka pësuar vetëm 1 gol. Titullari i dytë është mbrojtësi i djathtë, Patrik Fetaj. Ai ka lindur në Pukë në fakt, por sportivisht është lezhjan, sepse karrierën e ka të lidhur vetëm me Besëlidhjen.

Ka luajtur katër sezone për të dhe para se të kalonte te Dinamo ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit.

Për të vazhduar me Redon Danajn, autorin e golit të barazimit në Berat ndaj Tomorit. Rasti i tij është pak më i veçantë se të tjerët. Lojtari që aktivizohet pas dy sulmuesve të dielën do të ketë si kundërshtar vëllanë e tij të madh, Rubenin, që luan për Besëlidhjen.

Erisildo Smaçi është një tjetër lezhjan i kryeqytetasve, por ai nuk e ka statusin e titullarit. Në disa ndeshje është aktivizuar si zëvendësues, kurse në Berat mungoi për shkak dëmtimi. Të dielën pritet të jetë në stol.

TË RINJTË Fanellën blu e mbajnë edhe disa të rinj lezhjanë. Alisio Përloshi, djali i ish-futbollisti të njohur lezhjan Leonard Përloshi, është një element premtues. Ndaj Tomorit luajti si zëvendësues për kryeqytetasit.

Një tjetër element premtues është edhe Aurel Marku, që sapo ka lënë pas një dëmtim dhe në vazhdim pritet të ketë hapësirë.

Sulmuesi Françesko Daija është gjithashtu lezhjan. Ai u bashkua me Dinamon sezonin e kaluar dhe u aktivizua në disa ndeshje si zëvendësues në Superiore, para se të huazohej te Burreli.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"