Nga mbrojtja në sulm, Martini do një sforco në transfertën e Korçës. Statistikat e fundit flasim për barazim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 23, 2023 | 19:40

Nga mbrojtja në sulm, Martini do një sforco në transfertën e Korçës. Statistikat e fundit flasim për barazim

Teuta mbyll tabelën e klasifikimit pas 11 ndeshjesh të luajtura, ndërsa sfidën e prapambetur ndaj Partizanit do ta zhvillojë më 7 dhjetor në stadiumin e Durrësit. Nesër të besuarit e Edi Martinit luajnë në transfertë kundër Skënderbeut në orën 17:00, në një ndeshje ku nuk duhet të gabojnë. “Djemtë e detit” vijnë pas barazimit dramatik me Laçin, ku lanë dy pikë vetëm në sekondat e fundit. Trajneri Edi Martini ka punuar shumë nga ana taktike, por edhe psikologjike me skuadrën në këtë periudhë pauze të kampionatit.

teuta

Kalendari i rezervon tri ndeshje delikate në pak ditë Teutës, ku pas asaj ndaj Skënderbeut, do të presë Vllazninë më 28 nëntor, e më pas më 3 dhjetor luan në transfertë ndaj Kukësit. Nisur edhe nga renditja, të tria skuadrat janë afër me pikë me Teutën, prandaj hapat fals nuk mund të pranohen më në kampin durrsak. Stërvitja e sotme filloi me një nxehmje të lehtë, ku përgatitësi atletik, Mark Dodaj, vazhdoi më pas punën me futbollistët me disa ushtrime fizike. Përgatitjet kanë vijuar me rritëm, por ajo që ra në sy ishte që repartet punuan të veçuara. Mbrojta është sektori që po merr vëmendjen më të madhe, por pa lënë mënjanë repartet e tjera dhe manovrën sulmuese të ekipit.

Të paktën kjo u kuptua edhe dje, ndërsa trajneri kërkonte nga mesfushorët më shumë qarkullim topi dhe vertikalizime. Në seancën e djeshme grupi ishte i plotë, me përjashtim të Albi Allës, që ka pësuar një dëmtim të rëndë dhe do të qëndrojë gjatë jashtë fushave. Ndaj Skënderbeut mungesë e sigurtë për trajnerin Martini do të jetë mesfushori i talentuar, Ergis Arifi, i cili ka plotësuar numrin katër të kartonëve të verdhë. Gjithashtu në dyshim është edhe sulmuesi Realdo Fili, i cili që pas dëmtimit tri javë më parë, vijon fazën e riaftësimit. Pritet që në Korçë të ketë disa ndryshime në formacion, kryesisht në krahët e repartit të avancuar, ku disa lojtarë janë në balotazh.

Statistikat, barazim në ndeshjen e fundit

Teuta dhe Skënderbeu janë përballur në stadiumin e Korçës për herë të fundit më 26 maj të vitit 2022, në një ndeshje kur vendësit kishin rënë nga Kategoria Superiore, ndërsa nga ana tjetër, durrsakët kishin siguruar mbijetesën dhe nuk luanin për asnjë objektiv. Ka qenë java e 36-të e sezonit 2021-2022, me “djemtë e detit” që drejtoheshin nga Renato Arapi, ndërsa Skënderbeut nga zv.trajneri Gentian Liçi. Nga ajo skuadër janë ende pjesë e grupit lojtarë si Endri Dema, Blerim Kotobelli, Harrallamb Qaqi, Artan Jazxhi, Ledio Beqja, Klejdi Daci, Ergys Peposhi, Asion Daja dhe Reild Kurti. Ndërkohë, në fazën e parë të këtij kampionati, Teuta fitoi në Durrës me shifrat 1-0.

ZAMIR QYPI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"