Nga Katari në Shkodër, flet Jonuz: Vllaznia po rritet, pres që të na vizitojnë emra të mëdhenj të futbollit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 13, 2019 | 16:58

Nga Katari në Shkodër, flet Jonuz: Vllaznia po rritet, pres që të na vizitojnë emra të mëdhenj të futbollit

Trajneri i Vllaznisë, Mirsad Jonuz, me sa duket kërkon që të vendosë ura të mira bashkëpunimi me ekipet e akademisë Vllaznia.

jonuz eto

Përballja me ekipin e 19-vjeçarëve tregoi më së miri se eksperienca pakditore e marrë në Katar duhet vënë menjëherë në veprim. Në fjalën e tij, tekniku kuqeblu është shprehur për punën që është bërë deri tani, për programin e javës anti-Partizani, por edhe për eksperiencën e para pak ditëve që ka kaluar në Katar.

Një ndeshje miqësore me ekipin e akademisë Vllaznia U-19, për çfarë i vlejti kjo ekipit të parë që drejtoni ju?

Ky takim na vlejti për të shikuar më mirë lojtarët që janë te Vllaznia U-19, për të bërë seleksionimin e të rinjve për tek ekipi i parë. Ne jemi një familje. Do të vazhdojmë miqësoret me ekipin e Vllaznisë B, me U-19, në mënyrë që të shikojmë më nga afër edhe elementët e duhur që vlejnë për ekipin e parë.

jonuz gjate vizites ne katar

Është shumë e rëndësishme që ekipi i parë të ketë një bashkëpunim të mirë me të rinjtë dhe Vllazninë B. Është një mundësi e mirë për të gjithë lojtarët e akademisë dhe Vllaznisë B për të luajtur me ekipin e parë. Është një stërvitje e mirë, si për ne dhe për skuadrën tjetër. Sa herë që të kemi pauza të kampionatit, ne do ta aplikojmë një gjë të tillë.

Cili do të jetë programi i përgatitjeve për duelin me Partizanin?

Programi është që ne do të kemi një ditë pushim dhe të hënën do të nisë përgatitja për takimin me Partizanin. Ne duhet të fokusohemi fillimisht te ky takim i radhës, se pas kësaj për 7 ditë do të kemi edhe dy takime të tjera, me Flamurtarin e Laçin. Tani do të fokusohemi vetëm te ndeshja me Partizanin, të përgatitemi për atë takim.

Vini pas një vizite në Katar. Sa ju ka shërbyer juve personalisht, por edhe lidhjes së klubit me emra apo me klube të ndryshme të futbollit botëror?

Falënderoj shumë për ftesën presidentin e akademisë së klubit të Katarit, z.Tarik. Ishte një seminar me trajnerët më të mëdhenj të klubeve më të njohura të Europës, siç është Mançesteri, PSG-ja, Barcelona, Real Madrid e të tjerë ekipe, gjithashtu edhe drejtorët e akademive.

Ishte një seminar për tranzicionin e lojtarëve nga ekipet e moshave te skuadra e parë. Një lojtari që i përfundon mosha tek U-19-ta, duhet të përzgjidhet ose jo për ekipin e parë. Kishte shumë emra të tillë si Eto, Solari, Krespo, Jovanoviç e të tjerë në këtë seminar. Takova një nga trajnerët më me eksperiencë për mua, si Bora Milutinoviç dhe shumë emra të tjerë.

Mendoni se kjo do t’ju shërbejë juve dhe Vllaznisë?

Pa asnjë diskutim, kjo do të jetë në të mirën time dhe të Vllaznisë. Iu kam dhënë nga një ftesë të gjithë këtyre emrave të mirënjohur që të vijnë në Shkodër. Unë u kam folur për këtë klub.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"