Nga Curri te Çani, dëshirat vlonjate

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 9, 2014 | 10:11

Nga Curri te Çani, dëshirat vlonjate

CurriFlamurtari është i interesuar për të afruar lojtarë të Kombëtares shqiptare. Nga sa mësohet, është vetë donatori Sinan Idrizi, ai që ka shfaqur pëlqimin e tij për disa nga kuqezinjtë, të cilët mund të joshen për të vazhduar karrierën në Vlorë. Pas konsultimeve me drejtorin teknik, Ardi Behari, si dhe trajnerin Ernest Gjoka, në klubin kuqezi kanë nisur negociatat me disa emra të njohur. Synimi është i qartë: kërkohet të ndërtohet një ekip sa më i fortë, me qëllim që të fitohet titulli kampion në sezonin e ri, por edhe për një paraqitje sa më dinjitoze në Kupat e Europës. Me financa të garantuara, donatorët turq e shprehën hapur se si objektiv të vetëm kanë titullin dhe kjo ka bërë që drejtuesit e klubit të vihen në lëvizje për të afruar sa më shumë lojtarë cilësorë dhe me eksperiencë te Flamurtari. Momentalisht janë disa emra që qarkullojnë në ambientet e klubit vlonjat si të mundshëm për t’u afruar. Burime të sigurta në klub treguan dje për “Panorama Sport” se lojtarë si Edgar Çani, Admir Teli, Debatik Curri, Odise Roshi dhe Sabjen Lilaj synohen të joshen nga drejtuesit. Madje, mësohet se me disa prej tyre kanë nisur negociatat. Në këtë listë përfshihen gjithashtu edhe Xhevahir Sukaj, që sulmues që është grumbulluar më parë me përfaqësuesen, ndërsa është afirmuar te Kombëtarja U-21. Në planet e klubit janë edhe emra të kampionatit shqiptar si Mario Morina e Erjon Vucaj, por dëshira është një goditje “big”. Mësohet se ata që kanë më shumë shanse për të kaluar te Flamurtari janë Debatik Curri dhe Sabjen Lilaj. Gjithsesi, asgjë nuk është e sigurt, pasi të gjithë lojtarët që kërkon klubi vlonjat kanë plane të tjera për karrierën, sepse duan të vazhdojnë karrierën jashtë Shqipërisë. Të pyetur për këta emra që po qarkullojnë në klubin vlonjat, drejtuesit as nuk pohojnë, por as nuk i mohojnë. Gjithsesi, ata e shprehin hapur dëshirën për të pasur lojtarë të Kombëtares. Kontratat – Donatorët turq të Flamurtarit duket se kanë politika të reja edhe sa u përket kontratave. Kjo do të thotë se nuk do të ketë më pagesa të çmendura të lojtarëve. Është menduar që mos të ketë kontrata më shumë se 50-60 mijë euro, por për ndonjë futbollist cilësor edhe mund të bëhet ndonjë sforco. Ende lojtarët nuk kanë firmosur zyrtarisht marrëveshjet për sezonin e ri, por pritet që kjo të ndodhë në ditët në vazhdim.

Nijaz Lena grumbullohet me Maqedoninë
Mesfushori i Flamurtarit, Nijaz Lena, grumbullohet për herë të parë me Kombëtaren e Maqedonisë. Kjo u konfirmua zyrtarisht dje, kur trajneri Boshko Gjurovski shpalli listën me 22 lojtarë që ka ftuar për dy miqësoret që Maqedonia do të zhvillojë ndaj Kinës më 18 dhe 22 qershor. “Po, është e vërtetë që unë në ditët në vazhdim do të grumbullohem me Kombëtaren e Maqedonisë. Jam shumë i gëzuar, pasi është hera e parë që grumbullohem. Besoj se kjo ka ardhur nga paraqitja ime me Flamurtarin, por edhe nga fakti se së fundmi fituam Kupën e Shqipërisë. Shpresoj të bëj më të mirën time, me qëllim që ta fitoj një vend në Kombëtare edhe për ndeshjet e tjera”, – deklaroi dje Lena për “Panorama Sport”.

Sukaj: Flamurtari më do, por nuk shkoj
Xhevahir Sukaj konfirmon se është kontaktuar së fundmi nga drejtuesit e Flamurtarit, por plani i tij është ta vazhdojë karrierën në Iran me Sepahanin. Pas lajmit ekskluziv të botuar dje, gazeta foli vetë me sulmuesin, i cili ndodhet aktualisht në Shkodër, duke pushuar me familjen e tij. “Po, është e vërtetë që drejtuesit e Flamurtarit më kanë kontaktuar. Kam folur me Ardi Beharin, por ia kam bërë të qartë situatën time. E falënderoj klubin vlonjat për interesimin, por për momentin është e pamundur të rikthehem në Shqipëri. Kam edhe një vit kontratë me Sepahanin dhe nuk kam arsye pse të lëviz. Sinqerisht, jam i lumtur në Iran”, – është shprehur dje sulmuesi për “Panorama Sport”.

Ribaj, pranë Flamurtarit
Burime pranë klubit treguan dje për “Panorama Sport” se në pëlqimet e drejtuesve dhe trajnerit Ernest Gjoka është edhe sulmuesi Andi Ribaj. Pas largimit nga Skënderbeu, ka gjasa që Ribaj të jetë pjesë e Flamurtarit. Sulmuesi nuk është i panjohur për ambientin vlonjat, pasi kreu fazën përgatitore me kuqezinjtë gjatë sezonit të kaluar, por më pas u largua. Ndërkohë, Flamurtari interesohet edhe për tre lojtarë të tjerë të Superligës. “Jemi duke biseduar, por për shkak të tratativave nuk mund t’i bëjmë të ditur emrat”, – ka deklaruar Ardi Behari.
ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"