“Në Elbasan Ishim viktima e radhës, nuk e di kush do e pësojë pas nesh”, Memushi është optimist për Flamurtarin: Nuk jemi keq

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 6, 2024 | 19:23

“Në Elbasan Ishim viktima e radhës, nuk e di kush do e pësojë pas nesh”, Memushi është optimist për Flamurtarin: Nuk jemi keq

Eqerem Memushi është i bindur si çdokush tjetër në Vlorë se me Elbasanin fitorja u përkiste vlonjatëve dhe se goli i anuluar ishte i rregullt. Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri Memushi tha se në Elbasan priten këto ngjarje dhe se tashmë do të shikohet kush do të jetë viktima e radhës.

shkurtaj flamurtari

Trajneri vlonjat është i bindur, se skuadra do të bëjë mirë, sidomos në dy ndeshjet e radhës në shtëpi, ndërsa e “ngrohin” kualitetet që ka në skuadër. Futbollistëve u thotë të ulin kokën, të punojnë, por të mos ulin entuziazmin.

Memushi, në Elbasan ju iku fitorja nga duart. Keni një koment?
Janë takime direkte. Duke ditur distancat që kemi me skuadrat e kreut, i vetmi rezultat për ne ishte që të merrnim tri pikët, për të mbajtur nën presion skuadrën e vendit të dytë, konkretisht Elbasanin. Unë mendoj se ne e fituam takimin. Për këtë dua që të falënderoj të gjithë djemtë që dhanë kontributin e tyre në këtë takim. Ata treguan se bëjnë gjëra të mira dhe i kanë mundësitë për të bërë akoma më mirë për të arritur këto rezultate. Tani do të mendojmë që të përgatisim ndeshjet e tjera. Kemi dy takime të rëndësishme në shtëpi. Në fushën tonë, dihet që fitorja është detyrë shtëpie. Ne do të bëjmë të pamundurën. Nëse gabojnë kundërshtarët, i mirëpresim. Do të vazhdojmë serinë tonë të punës për rezultate pozitive dhe për maksimumin.

Ndieni keqardhje për golin e anuluar?
Për mua ishte gol i rregullt. Sistemi VAR është një risi në Kategorinë e Parë. Gjyqtari pretendon se është bërë një faull në momentin fillestar të nisjes së aksionit. Por këto dihen. Nuk është hera e parë që në Elbasan ndodhin këto gjëra. Flamurtari është viktima e radhës në takimet në këtë qytet. Nuk e di se kush do ta ketë radhën pas nesh. 5- 6 takime Elbasani i mbyll në minutën e 110-të apo 112-të. Ka qenë gjithë kohës në disavantazh dhe kanë kthyer rezultatin. Kjo që po them unë kuptohet se çfarë do të thotë.

Një barazim edhe me një lojtar më pak, mendoni se bëtë maksimumin?
Pikërisht, janë dy momente në skuadër. Ishim një skuadër shumë e ekuilibruar. Në pjesën e parë kemi luajtur shumë mirë, por nuk kemi arritur atë që kërkova unë nga dy lojtarët anësor. Oliveira është markuar shumë mirë nga kundërshtari. Nuk kemi arritur që të vertikalizonim lojën në pjesën e fundit të fushës, në pjesën e rrezikut te goli. Në fraksionin e dytë kur luajtëm me 10 lojtarë arritëm që të shënonim dy herë. Na u dha një mundësi që e çuam rezultatin në 1-2. Kjo është meritë e skuadrës. I falënderoj dhe i uroj që të jenë gjithmonë në këtë nivel.

La Torre ju la në baltë nga “i kuqi”. Mendoni se lojtarët duhet t’i menaxhojnë më mirë nervat?
Duhet që të tregohen të qetë. Ishte një faull që ai nuk duhet ta bënte. Ishim në momentet që sa do ta ndërronim. Por mbase na shërbeu edhe për karikimin e skuadrës ajo dalje. Ne u përmirësuam dhe shënuam pas daljes së La Torres.

Çfarë do t’u kërkoni lojtarëve në vazhdim?
Në stërvitje duhet të na kthehet entuziazmi. Kemi kohën për të punuar edhe më mirë për ta vendosur skuadrën dhe për t’u shprehur më mirë në takimet e tjera. Ata duhet të vlerësojnë veten e tyre. Janë figura shumë të njohura të futbollit shqiptar. Edhe të huajt që kemi kanë shumë eksperiencë dhe kualitet. Të ulin kokën, të mos ulin entuziazmin dhe të jenë të bindur për objektivin që kemi.

Ju ngroh kjo skuadër për vazhdimësinë?
Padiskutim! Ne këtë skuadër gjetëm, por nuk jemi keq.

Dy ndeshjet e radhës janë në shtëpi. Ju qetëson kjo gjë?
Po, kemi kohë dhe duhet të marrim pikët maksimale në këto dy takime. Duhet të shkojmë aty ku duhet.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"