Ndryshime nga mbrojtja në sulm, Martini pret fitoren kundër Kukësit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 16, 2024 | 9:00

Ndryshime nga mbrojtja në sulm, Martini pret fitoren kundër Kukësit

Teuta pret sot Kukësin në orën 16:00 në stadiumin “Niko Dovana”, në një ndeshje shumë delikate për vazhdimësinë. Durrsakët janë vetëm dy pikë më shumë se rivali direkt në luftën për mbijetesë, që pozicionohet në vendin e fundit.

teuta

Një fitore kundër Kukësit do të thoshte më shumë qetësi për vijimin e sezonit dhe mbi të gjitha do të krijonte një distancë, duke shpresuar te ngjitja në tabelë dhe parakalimin i Erzenit. Trajneri Edi Martini është fokusuar gjatë ditëve të fundit te ana taktike, pasi i duhet të bëjë të paktën dy ndryshime të detyruara në formacion. Për shkak kartonësh do të mungojnë sot qendërmbrojtësi Artan Jazxhi dhe sulmuesi Klejdi Daci. Kjo ia prish jo pak planet trajnerit, që gjithsesi i ka alternativat për të zëvendësuar dy titullarët. Në qendër të mbrojtjes mendohet për një spostim të Kotobellit, i cili mund të formojë dyshen me Gjinin. Mirëpo, kandidat për të qenë në formacion është edhe Harrallamb Qaqi.

Një lajm i mirë për Martinin është rikthimi i Ledio Beqjes dhe Matias Llocit, të cilët dje janë stërvitur me grupin. Stafi mjekësor, me në krye fizioterapistin Ervin Shembitraku, po bëjnë maksimumin që lojtarët të jenë të gatshëm. Në sulm pritet që të rikthehet si titullar sulmuesi argjentinas, Rodrigo Faust. Ky i fundit nuk është zhbllokuar ende dhe stafi pret që të jetë njeriu gol kundër Kukësit. Martini ka kërkuar nga futbollistët që të zbatojnë me përpikëri detyrat që u ka dhënë dhe mbi të gjitha të jenë të disiplinuar në fushë. Në dy ndeshjet e këtij kampionati me Kukësin, interesant është fakti se kanë përfunduar në barazim. Këtë herë durrsakët janë më të vendosur se kurrë për të triumfuar, duke u larguar nga fundi. Mungesa e vazhdimësisë ka bërë që Teuta të mbetet në zonën e ftohtë.te

ZAMIR QYPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"