“Ndonjëherë ndihem si Bukovski i portierëve”, Handanoviç kandidon Zhorzhinjon për “Topin e Artë”: Interi do ecë me Inzagin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 12, 2021 | 10:55

“Ndonjëherë ndihem si Bukovski i portierëve”, Handanoviç kandidon Zhorzhinjon për “Topin e Artë”: Interi do ecë me Inzagin

“Unë ndonjëherë ndihem si Bukovski i portierëve: nuk pi alkool, nuk konsumoj duhan, por ashtu si ai, jam tip i drejtpërdrejtë që ta shpreh direkt atë që kam për të të thënë”.

HANDANOVIC

Në këtë mënyrë është prezantuar kapiteni i Interit, Samir Handanoviç, në intervistën e dhënë për “Tuttosport”, ku ka folur për gjendjen aktuale të Interit, si po e përballon ai trysninë e gabimeve dhe zërat për pasardhësin, pa shmangur krahasimin mes Kontes e Inzagit dhe emrin e tij për “Topin e Artë” e portierin më të mirë në botë.

Kur erdhët tek Interi, na thatë se ishte si të fillonit universitetin. U diplomuat me shiritin e kapitenit apo me Skudeton?

Unë dhe Interi e kemi zgjedhur njëri-tjetrin nëntë vite më parë dhe kemi vuajtur shumë bashkë. Pavarësisht rëndësisë dhe emrit të ekipit, na është dashur shumë kohë për t’u kthyer në Champions League, edhe pse është objektivi minimal për ne. Por, për të fituar duhet të përshtaten shumë gjëra: personat e duhur dhe ide të qarta.

Po në intervistën tuaj të parë, kur jeni pyetur për ndryshimet që po pësonte Milani, e krahasuat me Udinezen tuaj të atëhershme që bëri mirë sezonin e parë pas largimeve të Sançezit, Inlerit e Zapatës. Situatë që tani i ngjan Interit të tanishëm.

Këto vite në Milano kemi ndërtuar një mentalitet fitues që nuk mund të harrohet vetëm sepse janë larguar dy lojtarë të fortë. Interi e fitoi tripletën pasi u largua Ibrahimoviç, kurse Lacio kampionatin pasi u largua Vieri. Gjithmonë është konfirmuar forca e grupit, që të bën të ecësh përpara, jo të qenit i varur nga një apo dy futbollistë.

Pas ndryshimeve mendoni se keni akoma nevojë për përgjigje nga fusha?

Jo, sepse në dhomat e zhveshjes shoh vetëm lojtarë të fortë dhe profesionistë. Kjo është një skuadër që mundet dhe duhet të vazhdojë të fitojë. Nuk e di nëse jemi më pak apo më shumë të fortë krahasuar me vitin e kaluar, por jemi më të kompletuar dhe me më shumë eksperiencë.

Pas titullit, fiksimi i radhës është të kalohet faza e grupeve në Champions League. Çfarë ju kanë mësuar zhgënjimet e mëparshme?

Do ta tregojmë në fushë atë që kemi mësuar, nuk ka nevojë të shprehem.

Cila është trashëgimia që ju ka lënë Konte?

Ne kemi kaluar dy vite impenjative me Konten dhe na ngelet vetëm ta falënderojmë. I ka sjellë mentalitetin e duhur grupit dhe mendoj se ky ka qenë guri i themelit për ato që kemi arritur. Konte është nga ata trajnerë që emocionohet kur flet dhe ua transmeton edhe lojtarëve. Mbi të gjitha di të zgjedhë momentin e duhur për të folur.

Çfarë i ka shtuar Inzagi grupit?

Edhe këtë vit jemi rinisur me 3-5- 2 dhe trajneri i ka shtuar bazës që ka gjetur idetë e tij duke na treguar ku të përmirësohemi për t’u rritur akoma.

Si i përjetoni gabimet gjatë ndeshjeve?

Kur nga gabimet vijnë humbjet, të duhet pak kohë për ta kaluar, por gjithmonë me qëndrimin e duhur, nëse gabon, do të thotë që je i gjallë. Tani jam 37 vjeç dhe nuk ka nevojë të thotë dikush kur gaboj sepse e kuptoj vetë. Kur pasi gabon ekipi fiton, nuk më intereson më gabimi.

Kontrata ju skadon në fund të sezonit. Çfarë ndjesie ju jep të lexoni për Onanën dhe pasardhësit e mundshëm? Ju bezdis apo ju motivon?

Është pjesë e lojës, janë gjëra që u ndodhin të gjithëve. Unë ndihem akoma mirë, argëtohem kur luaj dhe për futbollin jetoj, është pasoni im. Mendoj vetëm për të tashmen dhe do të shoh më vonë, e rëndësishme është që Interi të arrijë objektivat.

Sipas jush, kush është portieri më i mirë në botë?

Donaruma ka të gjitha cilësitë për t’u bërë, por aktualisht nuk shoh asnjë më të kompletuar se tjetrin për sa u përket komponentëve.

Kujt do t’ia jepnit “Topin e Artë”?

Zhorzhinjos, pa dyshim, ka fituar çdo gjë dhe ka bërë një supersezon. Për mua më i zoti është ai që arrin të ngrejë nivelin dhe jo ai që i ka të gjitha të dhuruara në ADN. Përndryshe çdo vit do të duhej të fitonte Mesi.

Na shuani një kuriozitet, i keni pritur ndonjë penallti Lukakut?

As nuk e kam provuar, pres shumë pak në stërvitje sepse nuk ka të bëjë fare me ndeshjen.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"