Ndeshja miqësore, Kastrioti i jep “leksion” Tomorit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 13, 2012 | 13:47

Ndeshja miqësore, Kastrioti i jep “leksion” Tomorit

KASTRIOTI – TOMORI 3-1
GOLAT: Rrahmani 27′, Turdiu 35′, Shaba 47’/ Frashëri 18′
KASTRIOTI: Osmani, Caca, Xhafa, Hoxha, Turdiu, Rrahmani, Vuçiç, Shaba, Sekseni, Karapici, Vrucina. (U aktivizuan: Moçka, Gocaj, Çitozi, Çela, Grishi, Sykaj, Goga, Ndreu, Veseli). Trajner: A.Mërgjyshi
TOMORI: Llani, Stafa, Rexha, Tafaji, Hysko, Hodo, Gjyla, Kule, Elmazi, Frashëri, Mile. (U aktivizuan: G.Arbri, Gjoni, Isufi, Avdo, Paja). Trajner: K.Mile
GJYQTARË: E.Demiraj, A.Mema, A.Kamolli (Pogradec)

Kastrioti ka arritur një fitore bindëse, 3-1, në miqësoren e radhës kundër Tomorit, të zhvilluar dje në stadiumin “Gjorgji Kyçyku” të Pogradecit. Skuadra e drejtuar nga Artan Mërgjyshi po kalon një formë të mirë, teksa pas triumfit në testin ndaj kampionëve të Skënderbeut pak ditë parë, edhe dje ndaj beratasve tregoi se ka kualitet në ekip. Në fakt, ndeshja nisi me vrull dhe epërsi të Tomorit. Ekipi i Kristaq Miles ishte për disa minuta zotërues i lojës, teksa arriti të kalojë në avantazh me anë të Frashërit. Mirëpo, nuk kaluan shumë minuta dhe krutanët morën frenat e lojës në dorë. Kastrioti arrin të shënojnë dy herë me anë të Rrahmanit dhe Turdiut. Edhe pse beratasit u munduan të reagonin, nuk arritën dot të barazojnë rezultatin, pasi gjithçka foli për Kastriotin. Edhe pjesa e dytë fillon me gol për krutanët. Këta të fundit konfirmojnë epërsinë, teksa trefishojnë rezultatin me anë të Shabës. Më pas beratasit janë të pafat, pasi humbasin edhe një 11-metërsh. Pavarësisht nga rezultati, të dy ekipet bënë zëvendësime të shumta, sidomos trajneri Mërgjyshi, i cili provoi disa lojtarë kosovarë, serbë dhe boshnjakë. Në 45 minutat e dyta, edhe pse nuk munguan rastet për shënim, rezultati mbeti i pandryshuar. Me këtë fitore Kastrioti tregoi se është më lart se Tomori dhe në cilësi. Krutanët duket se do të jenë sërish një kockë e fortë në sezonin e ri futbollistik.

Mërgjyshi: Skuadra po më bind
Kreu i pankinës krutane, Artan Mërgjyshi, u shpreh i kënaqur për lojën e ekipit të tij. Pas ndeshjes, për “Panorama Sport” ai deklaroi: “Në vazhdën e seleksionimeve të ekipit, zhvilluam edhe këtë miqësore, e cila na shërbeu mjaft. Jemi duke përmirësuar parametrat dhe qëllimi ynë është ta nisim sa më mirë kampionatin. Ndihem mirë për atë çfarë dhanë në fushë lojtarët. Mendoj që nga të ardhurit do të mbaj dy lojtarë, një mesfushor dhe një sulmues. Gjatë javës që vjen do të zhvillojmë edhe dy ndeshje miqësore, për të mbyllur përgatitjet në Pogradec”. Pritet që boshnjaku Vuçiç dhe kroati Vrucina t’i firmosin zyrtarisht kontratat me krutanët.

Mile: U bënë gabime foshnjarake
Trajneri i Tomorit, Kristaq Mile, është i pakënaqur nga ajo që shfaqi skuadra e tij kundër Kastriotit. Mile kritikoi repartin e sulmit, ndërkohë i cilësoi gabimet e lojtarëve gjatë ndeshjes si foshnjarake. “Pavarësisht rezultatit, që është pjesë e lojës, mendoj se sot (dje) futbollistët kanë gabuar mjaft. U bënë gabime foshnjarake, por megjithatë kjo nuk do të thotë se më ka humbur besimi tek ata. Duhet të punojmë më shumë në finalizimin e aksioneve. Gjatë ditëve të ardhshme pres edhe futbollistë të tjerë, të cilët mund ta fuqizojnë skuadrën. Mendoj se do të jemi gati për fillimin e sezonit të ri”, – është shprehur Mile.

Pllumb Jusufi, pranë beratasve
Tomori vazhdon të qëndrojë aktiv në merkato. Nga burime të sigurta pranë klubit, mësohet se synimet e beratasve janë për dy futbollistë: një mesfushor qendre dhe një sulmues. Një prej emrave që ka dalë në skenë është ai i mesfushorit shqiptaro-kroat, Pllumb Jusufi. Ky i fundit luan jo vetëm në qendër të mesfushës, por edhe si sulmues i dytë. Jusufi është i njohur në kampionatin tonë, pasi më parë ka luajtur për Dinamon dhe Kastriotin. Mësohet se lojtari do të mbërrijë sot në Ersekë, ku do të vazhdojë bisedimet me drejtuesit beratas. Nëse gjithçka shkon pozitivisht, atëherë Jusufi do të firmosë për llogari të beratasve, duke u bërë kështu një nga blerjet e Tomorit të ri. Për sulmuesin, ende nuk dihet se kush do të jetë, edhe pse po lakohet emri i golashënuesit të sezonit të kaluar, Endri Bakiu.
Pëllumb Starova

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"