Ndeshja kundër Bylisit, trajneri Emiljano Çela pret sot kthesën e Kastriotit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 29, 2022 | 9:59

Ndeshja kundër Bylisit, trajneri Emiljano Çela pret sot kthesën e Kastriotit

Kastrioti do të kërkojë sot në orën 14:00 në Kamzë rikthimin te fitorja pas asaj humbjeje minimale ndaj Laçit në javën e fundit të fazës së parë. Rivali i krutanëve është Bylisi, që i ka shkaktuar humbjen e parë këtë kampionat skuadrës së Emiljano Çelës.

Kastrioti stervitje

Mirëpo, nga ai takim hapës i kampionatit dhe tashmë dy muaj më pas kanë ndryshuar shumë gjëra dhe Kastrioti është i kompletuar, pasi në Ballsh në ndeshjen e parë shkoi me një kontingjent të cunguar dhe udhëtim brenda ditës.

Gjithsesi, për trajnerin Emiljano Çela do të ketë dy mungesa shumë të rëndësishme në takimin ndaj Bylisit për shkak kartonësh, pikërisht kapiteni Abaz Karakaçi dhe sulmuesi i krahut, Silvio Zogaj.

Nga ana tjetër, sinjale rikthimi kanë dhënë në stërvitjet e fundit mesfushorët që munguan ndaj Laçit: Edon Hasani dhe Xhuljo Mehmeti.

Të dy duket se kanë lënë pas dëmtimet, por gjithsesi vetëm sot trajneri Çela do të vendosë për aktivizimin e tyre nga minuta e parë.

Kreu i pankinës kërkon kthesën nga ekipi në këtë takim, për më tepër që ndeshja e parë në Ballsh i ka mbetur peng për mënyrën se si u përballën ndaj vendësve. Sot krutanët duan patjetër tri pikët.

STOJANOVIÇ – Qendërmbrojtësi serb, Millosh Stojanoviç, është ish-i i madh i kësaj sfide. Titullari i krutanëve ka luajtur për dy sezone me Bylisin, qoftë në Superiore ashtu edhe në Kategorinë e Parë.

Në këtë fazë të parë ai është konfirmuar si një prej lojtarëve stabël të formacionit krutan, duke bërë paraqitje të mira.

Një “ish” mund të quhet edhe Bekim Kuli, i cili ka luajtur me ballshiotët disa vite më parë, ndërsa prej gati një viti është pjesë e Kastriotit si zv.trajner. Të njëjtën detyrë kavajasi e ka bërë edhe te skuadra ballshiote 2 sezone më parë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"