Ndeshja e prapambetur me Teutën luhet sot, Dinamo ka një shans që nuk duhet humbur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 3, 2024 | 8:53

Ndeshja e prapambetur me Teutën luhet sot, Dinamo ka një shans që nuk duhet humbur

Kjo me Teutën nuk është thjesht një ndeshje radhe kampionati për Dinamon. Në këtë moment është shumë më shumë sesa kaq dhe ka disa arsye që duhet fituar. Me një fitore të mundshme kundër Teutës blutë shkojnë në vendin e 4-t dhe i japin vetes mundësi më të mëdha për të qenë në “Final 4”, ku pastaj gjithçka mund të ndodhë. Por kjo është një tjetër llogari.

dinamo teuta

KONFIRMIMI – Dinamo duhet të tregojë sot në “Air Albania” se po rikthehet ajo skuadra pretendente, minimalisht për Europën. Duhet të fitojë për të vërtetuar se nuk është aspak një skuadër mbijetese në Superiore, por që ka një grup lojtarësh me kualitet dhe që mund të konsiderohen baza e së ardhmes. Është momenti që kryeqytetasit të vërtetojnë se janë solide dhe se e kanë lënë përfundimisht pas krahëve tranzicionin e zgjatur që kaluan. Përveç investimeve në infrastrukturës, me ndërtimin e selisë së re të klubit, si dhe krijimit të akademisë, është koha që të bëhet një hap i madh përpara në aspektin sportiv sa i takon skuadrës së parë. Pas atij starti zhgënjyes të sezonit, Dinamo ka ngjitur gradualisht shkallët e renditjes, ka përmirësuar ndjeshëm lojën, duke krijuar një profil të sajin. Skuadra e trajnerit Mehmeti ka pasur oshilacione dhe kjo është normale, sidomos kur bëhet fjalë për një grup të ndërtuar nga e para, por askush nuk mund ta mohojë se blutë prodhojnë futboll dhe raste shënimi në çdo ndeshje, madje me një ritëm goxha të kënaqshëm.

BONUSI – Për të gjitha këto arsye, 90-minutëshi i sotëm kundër Teutës është një “bonus”, që Dinamo nuk mund ta humbasë. Përkundrazi, duhet ta shfrytëzojë në mënyrën më të mirë të mundshme për t’ia lehtësuar punë vetes. Nëse dalin me 3 pikë nga “Air Albania”, blutë lënë pas në renditje Tiranën dhe Skënderbeun, rivalët kryesorë në garën për “Final 4”. Kjo do të thotë se në 7 ndeshjet e mbetura mjafton vetëm që Dinamo të ruajë vendin e 4-t. Sigurisht, nuk është e lehtë, aq më tepër ndaj një kundërshtari që vjen në një moment shumë të mirë, me disa fitore radhazi, por pikërisht në ndeshje si kjo e sotmja bëhet diferenca. Në kampin dinamovit nuk kanë dashur të japin deklarata përpara kësaj sfide, duke ia lënë gjithçka fushës së “Air Albania”-s, ku pak javë më parë pësuan një humbje të pamerituar kundër Tiranës. Pavarësisht mungesa që kanë, te blutë ka besim se sot do të jetë një mbrëmje ndryshe.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"