“Na mungon njeriu-gol, shpërdorojmë shumë raste”, Spaho “shkund” Lushnjen: Koha të marrin përgjegjësi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 14, 2021 | 10:55

“Na mungon njeriu-gol, shpërdorojmë shumë raste”, Spaho “shkund” Lushnjen: Koha të marrin përgjegjësi

Lushnja është ngujuar në vendin e 11- të dhe nuk po ngre dot kokë. Skuadra prodhon lojë dhe raste, por pikët mungojnë. Vetëm 8 kanë grumbulluar në 8 javë, janë një mesatare aspak e kënaqshme për të besuarit e Ilir Gjylës.

Spaho Lushnja

Mikel Spaho është i shqetësuar për këtë situatë dhe nuk heziton që të “shkundë” lojtarët. Teksa analizon ecurinë e verdhejeshilëve për “Panorama Sport”, kapiteni evidenton problemet që po hasin dhe jep një mesazh të qartë për ekipin.

“Normalisht, nga Lushnja pritet më tepër. Na mungojnë disa pikë, si rezultat i barazimeve në shtëpi dhe i mungesës së pikëve jashtë, ku i kemi humbur të gjitha ndeshjet. Jemi në vendin e 11-të dhe Lushnja nuk është mësuar të jetë në pozicione të tilla. Mendoj që lojtarët duhet të marrin më shumë përgjegjësi. Lushnja ka një fanellë të rëndë dhe të gjithë duhet ta kuptojnë mirë këtë”, deklaroi fillimisht 39-vjeçari.

Te Lushnja vihet re edhe një mungesë e jashtëzakonshme e golave të shënuar, vetëm 4 në total dhe dukshëm ndihet mungesa e një eksperti në sulm. “Na mungon njeriu-gol. Ekipi prodhon lojë dhe kjo nuk ka munguar asnjëherë. Kemi bërë një lojë shumë të mirë edhe në fushën e ekipit që kryeson kampionatin. Por, humbasim shumë raste dhe na mungon njeriu-gol. Vazhdojmë të punojmë për t’u përmirësuar.

Kemi një ndërprerje, por ndeshja vjen shpejt. Do të jemi në transfertë me Pogradecin, që njësoj si ne ka mungesë pikësh. Vijojmë punën që të ringrihemi”, tha 39-vjeçari, që numëron 630 minuta nga 7 ndeshje.

ALBAN ALUSHI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"