Myftinia i jep premio, Godelli: Shteti të mos na harrojë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 22, 2014 | 14:00

Myftinia i jep premio, Godelli: Shteti të mos na harrojë

CeremoniaForumi Intelektual Mysliman Elbasan ka organizuar një takim kampionësh, ku u bë thirrje për largimin e të rinjve nga droga dhe veset e këqija. Në këtë takim vlerësues, ishin të ftuar kampioni i botës në peshëngritje, Daniel Godelli, kampioni i vogël në karate, Abdullah Backa, si edhe peshëngritësi Hysen Pulaku. I pranishëm ishte edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza dhe zv/presidenti Ilir Kulla. Nga ana tjetër, prezent ishte edhe myftiu Agim Duka si edhe Arben Ramkaj. Në fjalën e tyre, të pranishmit e vunë theksin te sporti, i cili duhet të jetë më afër të rinjve, si edhe këta të fundit t’i largohen çdo vesi të keq. Myftinia e Elbasanit shpërbleu të tre sportistët të pranishëm me nga një shumë parash, ku kampioni i botës për të rritur, Godelli, mori 100 mijë lekë të rinj, ndërsa Pulaku dhe Backa nga 25 mijë lekë të rinj.
Godelli – Kampioni i botës në peshëngritje për peshën 77 kg, Daniel Godelli, bëri thirrje që të rinjtë të merren sa më shumë me sport, por njëkohësisht edhe qeverisë që të jetë gjithnjë afër sportit, jo vetëm kur fitohen medalje. “Kush merret me sport, nuk del asnjëherë i humbur, ndaj i bëj thirrje të gjithë rinisë që të merret me aktivitete sportive. Duhet të qëndroni larg drogës dhe veseve të këqija. Për sa i përket qeverisë, dua të them se duhet t’i qëndrojnë gjithnjë pranë sportit, jo vetëm peshëngritjes. Dhe jo vetëm në rastet kur fitojmë medalje, por gjithnjë”, u shpreh shkurtimisht kampioni i botës, peqinasi Daniel Godelli.
Presidenti – Ndërkohë, Gjoza, në fjalën e tij zbuloi një fakt interesant në Kazakistan, kur Daniel Godelli shpresonte të shpallej kampion bote. “Nëse kinezi që ishte përballë Godellit për t’u shpallur kampion bote do të ngrinte 172 kg, ne nuk do dilnim të parët. Në këtë moment fillova t’i lutesha Zotit që të mos e ngrinte dhe ai e bëri dëshirën time realitet. Tani unë i lutem sërish Zotit që në 2016-n të marrim medalje olimpike dhe me këta djem, Godelli-Pulaku, të jeni të bindur se do të dalim të fituar. Elbasani dhe Peqini janë djepi i peshëngritjes, nga ka dalë edhe Luan Shabani, i cili na dha një ndihmesë të madhe në përgatitjen e sportistëve tanë”, u shpreh në fjalën e tij, Elez Gjoza.
VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"