Mungojnë provat, FSHF ultimatum Korabit për çështjen e stadiumit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 24, 2017 | 10:53

Mungojnë provat, FSHF ultimatum Korabit për çështjen e stadiumit

Pritej që dje zyrtarë të institucionit të futbollit shqiptar të udhëtonin drejt Peshkopisë, për të inspektuar punimet që janë bërë në stadium gjatë kësaj periudhe. Mirëpo, nuk ka ndodhur kështu. Burime zyrtare në FSHF i thanë dje gazetës “Panorama Sport” se klubi i Korabit nuk ka sjellë asnjë dokumentim me foto apo video të ndryshimeve që janë bërë aktualisht në stadium, qoftë në dhomat e zhveshjes apo rrethimin e jashtëm dhe të brendshëm të impiantit.

Korabi stadiumi 2

“Në rast se deri nesër (të martën) nuk do të kemi asnjë reagim nga klubi i Korabit, atëherë nuk mund të shkojmë në Peshkopi për të inspektuar punimet që janë bërë. Klubit i është bërë e qartë që duhet të sjellë foto të ndryshimeve dhe më pas zyrtarë të sektorit të licencimit do të shkojnë për t’i konfirmuar dhe vendosur nëse stadiumi plotëson ose jo kriteret për ndeshje të Kategorisë Superiore”, sqaruan dje burime në FSHF për gazetën.

Në fakt, drejtuesit i Korabit kanë deklaruar gjatë ditëve të fundit se punimet kanë ecur mirë, pavarësisht kushteve të vështira atmosferike. Edhe në faqen zyrtare në “Facebook” mungojnë fotot nga ecuria e punimeve dhe çfarë pamje ka aktualisht impianti. Gjithsesi këto dy ditë do të vendoset përfundimisht se në cilin stadium do të luajë Korabi ndeshjen e radhës kundër Laçit.

Gjasat janë që skuadra dibrane të endet në fusha të tjera, ashtu siç ka bërë në pjesën e parë të sezonit. Ekipi dibran ka provuar të luajë si vendës në stadiumet “Selman Stërmasi”, “Zeqir Ymeri”, “Elbasan Arena” dhe ai i Peqinit, ku dhe regjistroi fitoren e fundit ndaj Flamurtarit. Drejtuesit e klubit janë të bindur se me punimet që janë bërë gjatë këtij muaji në stadium, janë plotësuar të gjitha kushtet e FSHF-së.

ABDULLA DUSHKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"