Muça: Tirana “çelësi” i sezonit, askush të mos flasë për estradë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 20, 2016 | 14:29

Muça: Tirana “çelësi” i sezonit, askush të mos flasë për estradë

Shkëlqim Muça e cilëson Tiranën si çelësin e këtij kampionati. Sipas tij, bardheblutë janë ata që do të vendosin jo vetëm fatet e veta, por edhe titullin.muca Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, ish-trajneri i bardhebluve dhe Skënderbeut, i bën skanerin këtij sezoni. Tërbuni, sipas tij, zbukuroi garën, ndërsa akuzat për estradë i quan të tepërta, pasi të gjitha skuadrat, qoftë edhe një herë kanë qenë të përfshira në histori të tilla.

Të hënën luhet një duel përcaktues, Tirana që shpreson për Europën, ndërsa Skënderbeu për titullin. Si e parashikon Muça këtë ndeshje?

Kampionati është futur në një fazë interesante. Me humbjen e Skënderbeut ndaj Tërbunit, gara e titullit është hapur. Po ashtu edhe barazimet në Durrës dhe Ballsh mbajnë pezull verdiktet e zonës “Euro”.

A e ka Tirana potencialin që t’i ndalë kampionët në fuqi të vendit?

Është situatë e vështirë disi, për shkak të mungesave. Dhe kjo bën që ndeshja të anojë më shumë nga Skënderbeu. Por futbolli është i paparashikueshëm, gjithçka mund të ndodhë. Tirana ka një mentalitet fituesi dhe ndaj korçarëve e ka dëshmuar gjithnjë se prodhon futboll të bukur.

Si “ish” i të dyjave, për cilën do të bëni tifo?

Shpresoj pikë së pari që të jetë një ndeshje e bukur. Por unë kam dëshirë që Tirana të fitojë. Dhe po ndodhi kjo, hedh një hap të madh dhe të sigurt për Europën, si dhe do të “ndizte” kreun.

Kalendari është një “malore” për bardheblutë, pas Skënderbeut, ndeshen me Teutën dhe Partizanin…

Janë të gjitha ndeshje për t’u parë dhe shijuar, pasi janë duele direkte. Mund t’jua them me bindje se Tirana do të jetë “çelësi” dhe “kyçi” i kampionatit. Ata luftojnë për vete dhe nuk do të bëjnë kurrfarë tolerimi. Luan direkt me ekipet rivale dhe ky është shansi i skuadrës për të treguar forcën e vet. Po i kaloi këto tri ndeshje, Europa do të jetë më pranë.

Është pak herët për të folur për derbin, por a mendoni se ka ardhur radha e Tiranës pas 8 ndeshjeve pa fitore?

Derbi është një ndeshje tejet specifike. Nuk ka lidhje me gjendjen e Tiranës, apo pozitat që do të kenë në renditje. Presioni më i madh do të jetë karshi Partizanit këtë herë. Di vetëm që këtë herë bardheblutë do të luajnë me shpirtin në fushë, pasi kanë një detyrim madhor ndaj tifozëve.

Këto “thumbimet” në distancë mes z.Shehri dhe z.Dervishi, si i komentoni?

Nuk janë etike për drejtuesit, pasi mund të ndikojnë në ndezjen e tifozëve në shkallët e stadiumit. J

uve u krijon ndonjë impakt ylli me 5 cepa i Partizanit?

Jo, asnjë. Për mua, ai klub thjesht sa ka respektuar ishfutbollistët. Dhe ata janë njerëzit më të respektuar dhe nderuar në këtë arenë. Ajo nuk është bërë për drejtuesit, por për ata që kanë kontribuuar dhe sakrifikuar në fushë. Nuk më komplekson fare, pasi do të më vinte mirë që këtë ta bë- nin të gjithë, si Tirana, Vllaznia etj. Ata thjesht kanë bërë sport, asgjë tjetër.

Të kalojmë te zona “Euro”, pasi edhe aty po bëhet një garë interesante. Cilën shihni më të avantazhuar?

Kukësi ka bërë ecuri më të mirë, por kjo s’do të thotë gjë, pasi me një rezultat negativ mund të zhbëhet gjithçka. Madje, një rezultat negativ me Partizanin në fundjavë mund të bëhet faktor për vendin e tretë. Ndaj e thashë që këtë javë mund të ndahen disa gjëra.

Po ecurinë e Tiranës si e gjykoni, sa e dëmtoi barazimi në Ballsh?

Nuk ka qenë edhe aq e mirë ecuria. Nuk arriti që të përfitonte nga barazimi i rivalëve. Nëse do fitonte në Ballsh, do t’ia bënte gjithçka më të lehtë vetes. Por duhet pranuar se edhe gjykimi pati ndikim, pasi u penalizua Tirana. Mirëpo, këto i takojnë edhe garës dhe janë të pashmangshme në momente. Tirana tashmë është e dënuar që t’i bëjë një mbyllje të shkëlqyer sezonit, paçka se mungesat i ka pasur gjithnjë kundër. Në këtë fazë të kampionatit, nuk ka gjendje të shëndoshë dhe kjo e bën të vështirë që të rivalizojnë me Kukësin dhe Teutën. Por besoj se edhe ata e kanë të qartë se as barazimet nuk u bëjnë punë dhe jo më të humbasin pikë.

Dëmtimet janë shkaku kryesor i luhatjeve të Tiranës?

Është shumë e rëndësishme. Pasi të gjithë e dimë që Tirana arriti në një stad tejet komod, me hapa galopantë. Të gjithë menduam se me atë ecuri do ta kapte Europën. Por, dëmtimet realisht e kanë penalizuar. Nuk janë shumë titullarë.

Cili është motivi tjetër që e detyron këtë Tiranë që edhe këtë sezon të diskutojë pjesëmarrjen në Europë?

Unë kam folur edhe herë të tjera për këtë çështje. Por, në këtë fazë të kampionatit, do të ishte tejet e rëndësishme që Tirana të kishte që të gjithë grupin në dispozicion. Se çfarë ka ndodhur në të shkuarën e afërt, nuk ka më rëndësi, prioritet është që ekipi të marrë pikët e nevojshme. Pastaj, analiza bëhet e fundit.

Rikthimi i tifozëve do të jetë një armë plus në këto 6 javë të fundit?

Mua nuk më është dukur normal bojkoti i tifozëve. Ata duhet të jenë krah skuadrës në ditë të mira dhe të vështira. Tifozët nuk duhet të mungojnë kurrë në shkallët e stadiumit. Drejtuesit dhe lojtarët kurrë nuk duan që të humbasin. Askush nuk ka qëllim që ta çojë ekipin në vend të 4-t apo të 5-të. Duhet më shumë mirëkuptim.

E kishit menduar që Skënderbeu mund të humbiste ndaj Tërbunit të vendit të fundit?

Jo. Parashikoja vështirësi me ekipe si Tirana apo Kukësi, por jo me Tërbunin.

A do t’i penalizojë korçarët kjo ndalesë?

S’e besoj. Pasi Skënderbeu ka skuadër dhe cilësi. Sigurisht, kjo ndalesë ia vë në diskutim titullin. Partizani ka bërë hapa falsë dhe duhet të kishte qenë pak më i vendosur, për të marrë të paktën tri pikë më shumë. Mendoj se kjo javë ndoshta do të përcaktojë shumë gjëra.

Ju personalisht cilën shihni më të avantazhuar për kreun?

Është disi e vështirë që të dalim në konkluzione, pasi përveç asaj që shohim në fushë, mund të ketë edhe zhvillime jashtë saj. Kampionati është totalisht i hapur. Edhe pse Korça e pret Partizanin në shtëpi, nuk do të thotë asgjë. Në një ndeshje mund të ndodhë çdo gjë.

Nëse deri para pak kohësh thuhej që Skënderbeu ishte me një dorë te titulli, tashmë mund të thuhet me siguri?

Të dyja janë në garë dhe janë në baraspeshë. Por mendoj se kjo i duhej kampionatit. Do të bëhet më i bukur, ashtu siç ndodhi edhe vjet. Me këtë lloj rivaliteti që po krijohet ia shton bukurinë.

Po akuzat më të fundit në aksin Ballsh-Vlorë për estrada e parodi, si i komentoni?

Këto janë pjesë e kampionatit tonë. Por asnjë skuadër nuk ka të drejtë që të flasë, pasi të gjitha kanë qenë në këto situata, qoftë edhe një herë të vetme. Mendoj se askush nuk ka gojë të flasë, ndaj më mirë t’ua lënë këto histori organeve kompetente.

Mendoni se në 6 javët e fundit do të ketë aleanca apo favorizime?

Ajo skuadër që ka dalë nga “lufta” edhe mund të tolerojë, por kam idenë që në këtë fazë të gjitha kanë nevojë për pikë dhe luajnë gjithçka për gjithçka. Ndoshta në 2-3 javët e fundit edhe mund të ketë, por nga ekipet që do të kenë dalë nga loja.

Tirana ka shmangur penalitete nga FIFA duke shlyer disa borxhe. Çështja juaj deri në çfarë pike ka mbetur?

Ka hedhur një hap të mirë, pasi janë borxhe që duhet të shlyheshin. Për faj të ish-drejtuesve apo jo, FIFA nuk pyet, thjesht kërkon zbatimin e vendimeve. Sa i përket borxhit tim, po bëj procedurat ligjore. Klubi nuk është përgjigjur ende. Tashmë po pres.

E fundit, sipas jush, cila e fiton titullin, Kupën dhe cila shkon në Europë dhe bie nga kategoria?

Për titullin dhe Kupën jam në balotazh, pasi shanset janë 50 me 50. Në Europë nga vendi i tretë mendoj se është Kukësi në avantazh, ndërsa jashtë garës veç Tërbunit shoh Bylisit. Edhe pse kam idenë që ka për të qenë një luftë e fortë deri në finish.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"