MOVIOLA, JAVA 3/ E denjë për “Oscar”, asnjë ankesë ndaj arbitrave në të pesta ndeshjet

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Shtator 4, 2018 | 20:28

MOVIOLA, JAVA 3/ E denjë për “Oscar”, asnjë ankesë ndaj arbitrave në të pesta ndeshjet

Një javë për “Oscar”, gjyqtarët nuk bëhen protagonistë në pesë ndeshjet e Kategorisë Superiore, të vlefshme për javën e tretë. Në dy prej tyre, pikërisht në Skënderbeu-Laçi 1-1 dhe Partizani-Kastrioti 1-0, stadiumet kanë qenë të mbyllura për tifozët, pasi fushat e klubeve pritëse janë dënuar nga Komisioni i Disiplinës.

Mirëpo, edhe në tri takimet e tjera, ku stadiumet kanë qenë të hapura, tifozët kanë munguar. Një rekord negativ, pasi për tri ndeshje nuk bëhen bashkë as 2 mijë tifozë, 550 në Gjirokastër, 400 në Durrës dhe vetëm 350 në Shkodër, aty ku u zhvillua KukësiTirana, që përfundoi 3-1.

skenderbeu laci

Kukësi-Tirana 3-1

Gjyqtarë: J.Xhaja, A.Shkreta (Tiranë), A.Mahmuti (Elbasan);

Në minutën e 70-të, Uilliam Melo pengohet në zonë nga Atinga. Lojtari i Kukësit kërkon penallti, ndërsa për gjyqtarin është lojë e rregullt. Një rast i dyshimtë, edhe pse Juxhin Xhaja ishte afër aksionit.

Luftëtari-Flamurtari 0-1

Gjyqtarë: K.Shahini (Durrës), D.Myftari, M.Sadikaj (Tiranë);

Luftëtari-Flamurtari u gjykua nga një treshe mikse, me kryesor durrsakun Klodian Shahini. Ky i fundit e administroi mirë lojën, sidomos në pjesën e dytë, ku pati më tepër nervozizëm. I vetmi rast për moviolë është ai i minutës së 63-të, kur Milosavljev në tentativë për të goditur me kokë, rrëzohet në zonë pas duelit me dy kundërshtarë. Gjyqtari heziton të japë 11-metërsh, duke vijuar lojën. Një rast i dyshimtë, por edhe pamjet filmike nuk janë të qarta.

Skënderbeu – Laçi 1-1

Gjyqtarë: E.Jorgji (kryesor), R.Çokaj dhe E.Barushi (asistentë), K.Meta dhe O.Sokoli (pas portës), D.Rexha (i katërt);

Ishte vlerësuar nga FSHF si kryendeshja e javës, por nuk pati asnjë rast për moviolë. Jorgji dhe ndihmësit e tij ishin perfektë.

Partizani-Kastrioti 1-0

Gjyqtarë: E.Sino, E.Pashaj, N.Rrapaj (Fier)

I vetmi rast është ai i minutës së 62-të, kur Mensah rrëzohet në zonë pas duelit me Sitjepoviç dhe Husein. Gjyqtari Sino nuk jep penallti, por është vendim i drejtë, pasi mbrojtësit e Kastriotit janë një hap para ganezit.

Teuta-Kamza 1-0

Gjyqtarë: K.Kola, E.Doda, R.Zaimi (Tiranë)

Kryesori Klajdi Kola gjykoi në perfeksion, në një takim ku duelet e ashpra nuk munguan, por raste flagrante për moviolë nuk pati.





www.minuta90.com