Moviola e Superiores/ Penallti bujare në Korçë, VAR-i shpëton Cjapin! Vendime të sakta nga Lata dhe Bajramaj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 13, 2024 | 22:24

Moviola e Superiores/ Penallti bujare në Korçë, VAR-i shpëton Cjapin! Vendime të sakta nga Lata dhe Bajramaj

Ishte një javë impenja tive për gjyqtarët dhe VAR-in, me episode që influencuan në rezultatet e katër ndeshjeve të zhvilluara.

cjapi var

Penalltitë e akorduara në favor të Tiranës dhe Partizanit duken vendime të drejta, më shumë diskutime ngre ajo në favor të Vllaznisë në Korçë, ku kryesori Kreshnik Cjapi ndryshoi mendim pasi u thirr nga VAR-i.

SKËNDERBEUVLLAZNIA 0-1

GJYQTARË: K.Cjapi, I.Tartaraj, O.Grabova (Fier); VAR: O.Ferataj (Patos), AVAR: S.Dyrmishi (Elbasan)

Ndeshja e luajtur në Korçë mes Skënderbeut dhe Vllaznisë u gjykua nga Kreshnik Cjapi, me ndihmës Tartarajn dhe Grabovën, ndërsa në VAR ishte Olsid Ferataj. Kjo ndeshje pati disa raste për moviolë, ku veçohet episodi i penalltisë në pjesën e dytë, që vendosi rezultatin.

15’ – Gruda pretendon për penallti, pas një kontakti me një mbrojtës, por Cjapi vazhdon lojën. Nga pamjet duket se ka një goditje të Vangjelit ndaj lojtarit shkodran, por është jashtë zonës.

44’ – Vllaznia pretendon sërish për penallti, për prekje të topit me dorë nga Dumfur, por Cjapi vazhdon lojën dhe pamjet i japin të drejtë, sepse topi preket me gjoks.

58’ – Shënon Skënderbeu me mbrojtësin Ramos. Pas krosit nga këndi, ai e devijon topin drejt rrjetës. Festojnë korçarët për pak sekonda, pasi VAR-i sinjalizon se ka një prekje të topit me dorë. Vendim i saktë.

67’ – Vllaznia kërkon për herë të tretë penallti dhe këtë herë e merr. Pas një krosi në zonë, Ramos, në një dyluftim ajror, largon topin. Cjapi në fillim gjykon se e ka larguar me kokë, madje jep dhe një karton të verdhë për protesta në stolin shkodran. Pastaj ndërhyn VAR dhe gjyqtari shkon te monitori për të ndryshuar vendimin, pasi sheh pamjet. Mbrojtësi i Skënderbeut, nga aq sa kuptohet nga pamjet, e godet topin me kokë e pastaj e prek me dorën e hapur. Është çështje interpretimi, por duket një penallti bujare.

KUKËSI–LAÇI 1–0

GJYQTARË: A.Doda, G.Cenolli, E.Spahiu (Tiranë); VAR: I.Myrtja (Shkodër), AVAR: J.Xhaja (Tiranë)

Në takimin mes Kukësit dhe Laçit ka pasur disa episode për moviolë.

27’ Harkim në zonë, me topin që devijohet dhe ka pretendime për një prekje të topit me dorë nga Selita. Duan penallti laçianët, por vijon lojën gjyqtari. Një moment shumë i dyshimtë, në një kohë që edhe VAR-i nuk ndërhyn. Pamjet duket se topi është përplasur në trupin e Selitës dhe jo në dorë.

38’ Selita ndërhyn ndaj Tresës në zonë dhe lojtari i Laçit rrëzohet. Lejon avantazhin gjyqtari. Një moment i dyshimtë, teksa as në këtë moment nuk thirret për të riparë pamjet. Hedhja e Tresës është cilësuar e ekzagjeruar nga kryesori i takimit.

52’ Ka dyshime për një pozicion jashtë loje të golit të Beshirajt. Arbitri në fushë e vendos për gol ashtu si edhe asistenti, por gjithsesi pret edhe konfirmimin e VAR-it, i cili e quan të rregullt.

TIRANA-EGNATIA 1-1

GJYQTARË: F.Lata (Durrës), E.Burgu (Fushë-Krujë), F.Lama (Durrës); VAR: A.Koçi, AVAR: K.Shahini (Durrës)

Kryesori Florian Lata nuk gabon te 11-metërshi i dhënë në favor të Tiranës dhe ai i pretenduar nga Egnatia, pavarësisht protestave të rrogozhinasve.

29’ Harkim në zonë nga e majta, Montenegro dhe Spahiu nuk ia dalin të gjuajnë në portë teksa ka protesta për faull të Hoxhallarit ndaj sulmuesit. Gjyqtari Lata pret përgjigjen nga VAR dhe bën shenjë që loja të vazhdojë. Vendim i drejtë i gjyqtarit dhe VAR-it.

90+5′ Penallti për Tiranën. Abazaj pengohet në zonë pas një mbajtje të Xhemajlit dhe gjyqtari akordon 11-metërsh për bardheblutë. VAR konfirmon rastin, ndërsa pas pengimit të Abazajt edhe Fangaj shkaktoi penallti, duke penguar Cerenin. Egnatia proteston, por është penallti, si në rastin e parë, edhe të dytin.

ERZENI-PARTIZANI 0-4

GJYQTARË: K.Barjamaj, F.Kolleshi, D.Kasa (Tiranë); VAR: E.Rusta (Elbasan), AVAR: O.Yzeiraj (Patos)

Ndeshje me episode në Rrogozhinë, por Barjamaj e menaxhon mirë.

15’ Hadroj tenton një top me kokë në zonë, në duel me Asanin. Mbrojtësi i kuq prek topin, ndërsa ai shijakas e godet me gju në fytyrë, duke e dëmtuar. Kryesori Barjamaj nuk ka dyshime dhe me të drejtë akordon 11-metërsh dhe karton të verdhë për Asanin.

38’ Duel mes Hadrojit dhe Kadriut në zonë, me lojtarin e Erzenit, që rrëzohet dhe reklamon një shtytje. Barjamaj sinjalizon vazhdimin e lojës. Pamjet tregojnë se ka një kapje të Hadrojt, por brenda kufijve të rregullores dhe pa forcë për të rrëzuar kundërshtarin.

64’ Hadroj dhe Mihana përplasen për një top në zonën e Partizanit. Zgjatet mbrojtësi i kuq, më pas vjen edhe Mihana, që përplaset me të dhe e shkel, topi kalon në anën tjetër pa u prekur nga asnjëri prej tyre. Barjamaj me të drejtë vijon lojën.

77’ Blazeviç kalon Prekën në duel shpejtësie, mbrojtësi i Partizanit e kap nga fanella dhe Barjamaj i nxjerr direkt të kuq, pasi Kadriu do dilte përballë Hoxhës.

87’ Maget vertikalizon për Bintsukën, i cili realizon me një parabolë përballë Hasanbelli. Yzeiraj në VAR merr kohë për të shqyrtuar pozicionin e kongolezit dhe në fund konfirmon golin. VAR-i e konfirmon me vizimin virtual.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"