Nga stoli te zgjedhjet e tregut, plani i Ibrës për Milanin e sezonit të ri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 27, 2024 | 13:25

Nga stoli te zgjedhjet e tregut, plani i Ibrës për Milanin e sezonit të ri

E përditshmja “La Gazzetta dello Sport” foli për Zlatan Ibrahimoviç, si konsulent i “RedBird”-it (gjithashtu) për Milanin, duke e përcaktuar atë si “gjithçkabërës” në botën kuqezi. Në fakt, Ibra është kudo: në “Milanello”, në tribunën e “San Siro”-s, buzë fushës dhe në dhomat e zhveshjes. Por ai gjithashtu udhëton globin për iniciativat komerciale të klubit. Zlatan, megjithatë, është mbi të gjitha në zemër të “ekipit” të menaxherëve që po projektojnë të ardhmen e “Djallit” dhe do të luajë, në këtë kuptim, një rol vendimtar.

pioli-ibra

Qëllimi është ta kthejnë Milanin në majë. Drejtuesit e tjerë, Xhorxho Furlani, Xhefri Monkada dhe Antonio D’Otavio, ishin që vjet në klub dhe së bashku ndërtuan ekipin e këtij sezoni duke ndjekur një strategji shumë specifike. Një strategji e cila sipas gazetës italiane do të përsëritet pak a shumë këtë verë: profile të rinjsh, vlerësime të filtruara edhe nga analiza e të dhënave, kosto të qëndrueshme. Ibrahimoviç, i punësuar nga Xherri Kardinale në dhjetor 2023, po përgatitet të ndërmarrë veprime në këtë merkato të verës. Çfarë planesh ka Zlatani për Milanin e tij?

ZGJEDHJE TREGU – Merkato do të sillet rreth blerjes së numrit të ri 9, duke qenë se Olivie Zhiru do të largohet. Ibra, në mënyrë të pashmangshme, do të ketë veton për këtë çështje dhe tashmë ka pikasur Joshua Zirkzenë, si një kandidat të fortë për të zëvendësuar francezin. Nuk është rastësi që nga të gjithë emrat në listën e Milanit (nga Benjamin Sheshko te Serhu Girasi, nga Xhonatan David te Santiago Gimenez) holandezi nga Bolonja është ai që kujton më së shumti Ibrën në moshë të re. Për krijimtarinë, vizionin e lojës dhe personalitetin për të përballuar presionin e një stadiumi si “San Siro”. Suedezi tashmë ka pasur ndikim edhe në të ardhmen e pankinës së Milanit. Ai i ka dhënë dritë jeshile ndryshimit teknik pas katër vitesh e gjysmë drejtimi të Stefano Piolit dhe do të ketë sërish ndikim, në listën e ngushtë të trajnerëve që do të vlerësohen.

BASHKËPUNËTORË – Mark van Bomel, i cili fitoi titullin e parë me milanist me Ibrën, dhe që ndërtoi një lidhje të fortë me të edhe pas përvojës së tij te kuqezinjtë, është vetëm njëri nga emrat ën listën e kandidatëve ku ka profile si Antonio Konte, Domeniko Tedesko apo edhe Kristof Galtie e Marselo Gazhardo. Në epokën pas Paolo Maldinit, Milani i ka dhënë vetes një organizim kolegjial, një strukturë korale në të cilën të gjithë zërat kanë peshë dhe Zlatan duhet të jetë në gjendje të lëvizë në këtë kontekst. Ai në fakt që tani po e bën këtë. Ndërkohë, sugjerimet e tij kanë prodhuar efekte të rëndësishme. Jovan Kirovski, menaxher amerikan që Zlatan e njohu në kohët e Los Anxheleit, ka zbritur në Milan për t’u bërë menaxher. Daniele Bonera më pas do të kalojë nga stafi i Piolit në pankinën e skuadrës së sapolindur të Milanit U-23.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"