Pogradeci luan një “finale”, Nikaj: Nuk futemi për barazim ndaj Luftëtarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 27, 2024 | 12:18

Pogradeci luan një “finale”, Nikaj: Nuk futemi për barazim ndaj Luftëtarit

Pas një analize në dhomat e zhveshjes, që u mbyll me duartrokitje dhe brohoritje nga lojtarët e stafi, Pogradeci zhvilloi stërvitjen e fundit në fushën e stadiumit “Gjorgji Kyçyku”. Më pas skuadra u nis drejt Tepelenës, aty ku u grumbullua në prag të ndeshjes kundër Luftëtarit, që do të luhet sot në orën 15:00 në stadiumin e Gjirokastrës.

Nikaj pogradec

Atmosfera te liqenorët është e mirë para sfidës që vendos sezonin në një masë të madhe. Bashkia e Pogradecit ka vendosur autobusa falas në dispozicion të tifozëve që do të mbështesin ekipin në transfertën e Gjirokastrës, teksa nisja do të bëhet sot në 09:00.

TRAJNERI Samuel Nikaj beson se Pogradeci do të finalizojë me sukses këtë sezon në sfidën vendimtare kundër bluzinjve. “Realisht është ndeshja e sezonit, sepse me një rezultat pozitiv sot, ne jemi në Kategorinë e Parë. Kemi luftuar dy vite për të qenë pjesë e së Parës. Kemi bërë dy kampionate të mira dhe shpresoj me ndihmën e Zotit të jemi fituesit”, ka thënë fillimisht trajneri i liqenorëve.

Pogradecit i intereson edhe një pikë në Gjirokastër për të mbajtur diferencën +1 nga Luftëtari, por Nikaj mendon vetëm fitoren. “Absolutisht që po! Madje kjo në karrierën time më ka penguar, prandaj kam qëndruar në ligat inferior, pasi mentaliteti im është vetëm që të sulmoj. I kam zili ata që mbrohen, por unë nuk e bëj dot këtë. Vërtet një barazim na intereson dhe normalisht që edhe lojtarët kanë alibitë e veta. Jam i mendimit që më mirë të humbas si Mançester Siti sesa të fitoj si Real Madridi. Kemi punuar në aspektin psikologjik për të bindur lojtarët që ne duhet të bëjmë futboll ofensiv dhe të fitojmë bindshëm. Të na respektojë e gjithë Shqipëria për një futboll atraktiv, të bukur dhe fitues. Luajmë kundër një Luftëtari që përfaqëson një qytet më shumë traditë në futboll. Sigurisht do të kenë mbështetjen e tifozëve, por mendoj se nuk e përcaktojnë ata fatin e një ndeshjeje”, përfundoi Nikaj.

REDI DANDALLAKU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"