Mota karikon Kukësin: Me Skënderbeun kthehemi te fitorja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 9, 2024 | 10:57

Mota karikon Kukësin: Me Skënderbeun kthehemi te fitorja

Kukësi është duke i dhënë dorën e fundit përgatitjeve, në kuadër të ndeshjes që do të kenë me Skënderbeun këtë fundjavë në fushën e këtyre të fundit. Një përballje që në kampin blu konsiderohet si jetike, sepse vetëm fitorja u bën punë për të mos lejuar rivalët mbi ta të largohen dhe të mbajnë gjallë shpresat për mbijetesë.

mateus mota

Për këtë arsye, tekniku Emiljano Çela është duke dhënë udhëzimet në seancat stërvitore për ta kaluar me sukses dhe harruar atë që ndodhi pak ditë më parë me Tiranën, ku vetëm në fund panë t’u ikte nga duart një pikë.

Mesfushori Mateus Mota është kthyer në një nga lojtarët më të rëndësishëm të Kukësit të këtij sezoni. I afruar në kampin verilindor në merkaton e verës, është ambientuar shumë shpejt me skuadrën. Golin e parë dhe të vetëm këtë sezon e ka shënuar ndaj Skënderbeut, duke i dhënë barazimin skuadrës së tij fazën e kaluar, ndërsa tani shpreson që të dalin me tri pikë nga transferta korçare. Të paktën, kështu shprehet në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport” para kësaj sfide.

“Jemi të fokusuar maksimalisht për ta kaluar me sukses këtë ndeshje dhe po punojmë fort në stërvitje. Synojmë vetëm fitoren ndaj Skënderbeut dhe shpresoj t’ia dalim, sepse është shumë e rëndësishme edhe për ecurinë dhe klasifikimin në kampionat”, u shpreh fillimisht braziliani i Kukësit. Ndonëse në ndeshjen e parë shënoi dhe i dha barazimin e skuadrës, ai pohon se për të rëndësi ka vetëm të fitojë ekipi, duke mos menduar për golin.

“Nuk ka rëndësi kush shënon golin, gjëja më e rëndësishme janë tri pikët për ekipin”, vijoi më tej 26-vjeçari i skuadrës së Kukësit. Në lidhje me vendin e fundit që mbajnë në klasifikim, Mota pohon se nuk i shkon për shtat dhe nuk e meritojnë këtë gjë, por ka bindjen se situata do të ndryshojë dhe Kukësi do t’i largohet fundit.

“Ne po punojmë shumë çdo ditë që të largohemi sa më parë nga ky pozicion. As ekipi dhe as tifozët nuk e meritojnë, por me besim dhe punë do t’ia dalim. Kemi një grup që mund të bëjë gjëra të mira dhe kam shumë besim te të gjithë”, mbylli prononcimin e tij për gazetën mesfushori i skuadrës së Kukësit, i cili deri më tani është aktivizuar në plot 17 takime me blutë në kampionat dhe numëron 1200 minuta në këmbët e tij.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"