Misioni “titull” dhe kalendari, Partizanit i duhet… perfeksion

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 26, 2023 | 22:41

Misioni “titull” dhe kalendari, Partizanit i duhet… perfeksion

Kur mbeten edhe gjashtë javë për t’u luajtur në Kategorinë Superiore dhe në lojë janë 18 pikë, skuadrat kanë nisur të bëjnë llogaritë e tyre për të realizuar objektivat që kanë në këtë sprint final. Partizani, edhe pse ka kryesuar kampionatin më shumë se çdo skuadër këtë sezon, e sheh veten tashmë në vendin e dytë dhe me 5 pikë më pak se Tirana pas 30 javësh të luajtura.

Partizani

Duke pasur parasysh atë që ka ndodhur në rrugëtimin e rivalëve të përjetshëm gjatë këtij kampionati, asgjë nuk mund të parashikohet. Këtë e thonë shifrat dhe oshilacionet e shumta që kanë pasur kryesuesit, pasi bardheblutë më parë kanë qenë edhe 7 pikë më shumë në një moment të sezonit, por papritur më pas janë përmbysur nga Partizani.

Natyrisht, tashmë vigjilenca është më e madhe dhe çdo ndeshje bëhet më e vështirë për cilindo ekip, por gjithçka mbetet e hapur dhe në kampin e kuq e kanë të qartë se u duhet një perfeksion në rezultate për të shkuar te titulli. Gjithsesi, jo çdo gjë është në këmbët e të kuqve, pasi edhe nëse ata bëjnë detyrën, duke fituar çdo ndeshje deri në fund, sërish duhet të presin që minimalisht Tirana të bëjë një hap fals dhe të humbë në ndeshjen direkte derbi.

NDESHJET

Për të shkuar të qetë në derbi, të kuqtë e drejtuar nga Xhovani Kolela duhet të fitojnë dy ndeshjet e radhës me kundërshtarë që luftojnë për mbijetesë. Këtë të shtunë “demat” luajnë në transfertë me Erzenin, ndërsa më pas presin Kukësin.

Nga ana tjetër, edhe Tirana ka dy ndeshje me skuadra që janë në pjesën e poshtme dhe mesin e tabelës si Kastrioti dhe Teuta. Me këtë të fundit Tirana do të luajë dy ndeshje edhe për gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë, duke qenë e angazhuar edhe për të fituar trofeun e dytë më të rëndësishëm. Gjithsesi, nëse shikon kalendarin edhe duke marrë të mirëqenë një fitore të mundshme të të kuqve në derbi, sërish vështirësia mbetet e madhe për të shkuar te titulli.

“Demat” do të kenë në radhë ndeshje delikate ndaj Vllaznisë, Kastriotit dhe Teutës, që mund të jenë në lojë për objektivat e tyre deri në fund. Në kampin e kuq e kanë të qartë se dy takimet e radhës janë shumë të rëndësishme për t’u fituar me patjetër, përpara se të shkojnë në ndeshjen direkte me Tiranën në javën e 33-të.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"