Miqësorja e luksit, Kashami i jep sot “finon” Besës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 17, 2020 | 12:59

Miqësorja e luksit, Kashami i jep sot “finon” Besës

Besa do të luajë sot një miqësore luksi, ku përballë do të ketë Tiranën, kampione të Superiores. Sipas të gjitha gjasave, do të jetë miqësorja e fundit para kampionatit të ri, që me shumë mundësi nis javën e ardhshme. Për trajnerin, Ndriçim Kashami, miqësorja me bardheblutë është rasti më i mirë që Besa të tregojë realisht veten dhe të bëjë korrigjimet e fundit para ndeshjeve zyrtare.

Kashami

“Kemi zhvilluar disa miqësore, ku përtej fitoreve apo barazimeve, jemi korrigjuar ndeshje pas ndeshjeje. Këto miqësore më kanë dhënë edhe ide të qarta se kush mund të jetë formacioni bazë i Besës në kampionat. Kuptohet, asgjë nuk është fikse, pasi edhe performanca e secilit futbollist në kohë të ndryshme është përcaktuese. Miqësorja e nesërme (sotme) me Tiranën them se do na vlejë mjaft. Së pari, do kemi përballë Tiranën dhe dihen vlerat e saj. Së dyti, ekipi psikologjikisht do luajë njësoj sikur të ishte në Superiore. Së treti dhe më kryesorja, nuk besoj se ka rast më të mirë për korrigjimet e fundit. Do të jetë testi përfundimtar për çdo futbollist”, thotë Kashami.

kashami

GJENDJA – Trajneri kavajas pohon se gjendja e skuadrës është optimale, pasi edhe lojtarët me dëmtime të lehta, Moqi dhe Peqini, tashmë janë rikuperuar përfundimisht. “Besa është e gatshme në çdo moment për startin e sezonit, qoftë edhe javën e ardhshme. Kemi punuar mjaft dhe miqësoret e kanë mbajtur në tonus ekipin për të mos humbur asgjë. Me 2 ndeshje në javë, Besa e ka “nisur” kampionatin më herët se të tjerët. Gjendja është në parametrat e duhur. Personalisht, kam besim se do ta nisim mbarë dhe do ta mbyllim mbarë kampionatin.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"