Miqësorja e dytë, Laçi “kolaudohet” në Ohër. Njihuni me kundërshtarin e radhës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 18, 2023 | 21:56

Miqësorja e dytë, Laçi “kolaudohet” në Ohër. Njihuni me kundërshtarin e radhës

Laçi do të luajë nesër në Ohër miqësoren e dytë në këtë fazë përgatitore, pas asaj që zhvilloi ndaj klubit maqedonas, Voska Sport, ku humbi minimalisht 1-0.

360127370_581448877524078_2484927516354539525_n

Klubi kurbinas ka njoftuar se kundërshtari i radhës është skuadra e Superligës së Kosovës, Malisheva, teksa takimi do të luhet në orën 18:00 në Ohër. Trajneri Stavri Nica po mundohet t’i marrë më të mirën grupit aktual, në një kohë që ndryshimet kanë qenë të mëdha në hyrje dhe dalje.

Ashtu siç ka raportuar “Panorama Sport” në ditët e kaluara, strategjia e klubit kurbinas këtë sezon është që të afirmojë sa më shumë lojtarë të rinj, me synimin që t’i shesë jashtë Shqipërisë në një të ardhme të afërt. Projekti nisi që në janar të këtij viti, kur nga Apolonia u morën lojtarë që janë pjesë edhe e Kombëtareve të moshave, si mbrojtësi Arlind Kurti dhe mesfushorët Alvi Mezani e Olsi Myrta. Gjithashtu, u afrua mesfushori Stiven Bibo, i cili shkëlqeu në fundin e sezonit, duke luajtur 7 ndeshje dhe shënuar 2 gola.

Ndërsa në merkaton e verës së tanishme, Laçi ka bërë “pazar” tek Internacionali, aty ku ka marrë të rinj si sulmuesin Emanuil Guci, mesfushorin Orgi Cena, mbrojtësin Khalil Taleb dhe portieri Ortelio Biba.

Gjithashtu është afruar mbrojtësi brazilian, Luis Paulo Silva Zhunior, që vjen nga Tërbuni, si dhe sulmuesi anglez, Ronald Sobovale, që në sezonin e fundit luajti në Kosovë me Malishevën, ekipin që nesër kurbinasit përballën në miqësore. Sobovale mund të jetë zbulimi i këtij sezoni, krahas të rinjve të afruar me shumicë në radhët e bardhezinjve.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"