Mesi në tempullin e Maradonës për të prishur mallkimin, Barça sheh “makthe” në ndeshjet në transfertë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 25, 2020 | 9:35

Mesi në tempullin e Maradonës për të prishur mallkimin, Barça sheh “makthe” në ndeshjet në transfertë

Për të fituar Ligën e Kampioneve duhet të shënojmë gola në fushën kundërshtare. Është shumë e rëndësishme kjo gjë në të gjitha ndeshjet. Kur fituam Champions-in, shënuam në të gjitha ndeshjet që luajtëm në transfertë. Përveç faktit që ishim superiorë, detyra kryesore është të shënosh. Nëse jo, atëherë rruga bëhet e vështirë”, ka thënë Mesi disa muaj më parë në një intervistë për gazetën “Sport” kur kujton eliminimin nga Liverpuli. Dhe ai e di shumë mirë pse e thotë këtë. 

200224205403-lionel-messi-diego-maradona-liga-de-campeones-futbol-large-169

Barcelona ka udhëtuar në Napoli për të luajtur sot sfidën e parë të vlefshme për fazën e 1/8-ave, me objektivin për të marrë një rezultat pozitiv. Dhe ky rezultat arrihet duke shënuar. Por statistikat nuk janë aspak pozitive, sepse që nga viti kur Barcelona ka fituar Championsin në vitin 2015, nuk ka arritur të shënojë asnjë gol në 4 transferta në raundet me eliminim direkt. Bëhet fjalë për ndeshjet kundër Atletikos së Madridit, Juventusit, Romës dhe Liverpulit. Këto katër ndeshje kanë një bilanc 12-0. Shumë i keq për një ekip si Barcelona. Krejt e kundërta ndodh në “Camp Nou”, i cili është një fortesë që nuk shembet kurrë. Në transfertë, katalanasit humbasin forcën sulmuese.

barcelona121212

Në 10 eliminatoret që kanë luajtur që nga viti 2015, Barcelona ka arritur të shënojë vetëm 4 gola. Për të qenë të saktë, vetëm 3, sepse njëri ka qenë autogol i Shout kundër Junajtid. Të tre golat i ka shënuar Leo Mesi. Një tjetër e dhënë shqetësuese që në 10 ndeshje të luajtura jashtë shtëpisë, vetëm argjentinasi ka qenë i aftë të shënojë gol larg “Camp Nou”-t. Kjo është një çështje serioze, e cila kërkon reflektim. I ka ndodhur Luis Enrikes, pastaj Valverdes. Kike Setien tani ka një detyrim për të ndryshuar këtë trend negativ.

Që Barcelona ka probleme në transferta, nuk është e vështirë për t’u kuptuar sepse ka lënë 18 në La Liga. Sot në mbrëmje, Leo Mesi me shokë do të kërkojë që të thyejë mallkimin kundër Napolit të Gatuzos. Skuadra italiane është rritur shumë që nga koha kur në stol është ulur Rino dhe ky i fundit është gati t’i hapë luftë kujtdo. Por Barça vjen në këtë sfidë me moral të lartë për shkak të fitores spektakolare në fundjavë me Eibarin dhe marrjes së vendit të parë në klasifikim.

Quique-Setien

SETIEN- Kike Setien ëndërron… Kërkon një debutim të paharrueshëm, edhe pse e di që Liga e Kampioneve është një kompeticion shumë i vështirë. Ai kërkon që futbollistët e tij të heqin nga mendja eliminimet e mëparshme të Barcelonës kundër Romës dhe Liverpulit, edhe pse thotë se nuk është e lehtë.

“Të gjitha skuadrat në këtë fazë të Champions-it janë të vështira dhe kërkojnë të japin më të mirën nga vetja. Napoli është përmirësuar shumë kohët e fundit, por më mirë të shohim veten. Gatuzo? Më vjen mirë që një ishlojtar i madh si ai më ka ndjekur në të shkuarën. Nuk jemi të ngjashëm, por çdo trajner ka stilin e tij. Realiteti është që Gatuzo ashtu si unë kemi pasur situata të njëjta në mënyrën se si kemi mbërritur në ekipet ku jemi”, tha Setien. Ai nuk ka dashur që të ndalet tek “El Clasico”, duke thënë se mendimet e lojtarëve duhet të jenë vetëm për Napolin. “Janë kompeticione të ndryshme dhe bëjmë mirë të fokusohemi në Champions. Pastaj do të mendojmë për ndeshjen me Realin. E shkuara? Gjatë këtyre ditëve nuk kemi folur kurrë për eliminimet që ka pësuar skuadra kundër Liverpulit apo Romës, por është e vërtetë që lojtarët e kanë në mendjen e tyre. Ne duhet ta ndryshojmë këtë histori të viteve të fundit dhe të shkojmë deri në fund të këtij kompeticioni”, tha Setien në konferencën për shtyp përpara mediave.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"