Mërgjyshi ngre dyshime: Pse arbitra nga Lushnja në Pogradec?

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 31, 2019 | 17:35

Mërgjyshi ngre dyshime: Pse arbitra nga Lushnja në Pogradec?

Vetëm 1 pikë në dy transfertat e fundit për Apoloninë, barazim i bardhë ndaj Shënkollit dhe humbje 1-2 me Pogradecin, pavarësisht një penalltie shumë të diskutueshme.

mergjyshi

Shumë pak për një ekip pretendent. Para dy javësh fierakët kishin pikë të barabarta me Lushnjën, ndërsa tani lagunarët kanë krijuar distancën +5 pikë, një diferencë “e frikshme” në vetëm 6 javë. Jo për të bërë “apologji” të humbjes në Pogradec, por për të folur mbi fakte, trajneri Mërgjyshi shpreh çudinë se si një ndeshje të Apolonisë e gjykon një gjyqtar nga Lushnja (Laver Alla), qyteti i rivalit direkt.

Duke pasur parasysh raportin lojë-rezultat, si mendoni, e merituat humbjen në Pogradec?

Jo, nuk e merituam atë humbje, sepse në raport me ndeshje të tjera kemi luajtur më mirë. Kemi prodhuar më shumë ndaj një kundërshtari që luan mirë futboll, sidomos në fushën e vet. Kishim shanset tona dhe jo pak raste goli. Gjithsesi, episodet dhe pakujdesitë ndikuan. Loja rrodhi e tillë deri në një moment të diskutueshëm në fund. Absurdi më i madh është se na gjykoi një gjyqtar nga Lushnja, kur ne jemi pretendentët kryesorë me ta. A nuk është padrejtësi kjo?

Ajo penallti është kontestuar nga të gjithë në Fier…

I kemi studiuar me kujdes pamjet filmike dhe çudia më e madhe është që kryesori Alla, shumë afër aksionit, akordoi goditje këndi, që as e tillë nuk ishte. Anësori ndodhej 55-60 metra larg aksionit dhe i kërkoi kryesorit penallti për Lushnjën. Nga pamjet duket qartë që në momentin e parë ka një prekje të lehtë të portierit tonë ndaj kundërshtarit, i cili nuk rrëzohet dhe vijon aksionin, ndërsa në momentin e dytë portieri nuk ka asnjë kontakt me lojtarin e Pogradecit, i cili rrëzohet pa asnjë arsye, në mënyrë të ekzagjeruar. Nëse do të ishte dhënë penallti në rastin e parë, mbase mund të justifikohej. Rasti i dytë është vendim i gabuar nga anësori.

Shumë e paqëndrueshme kjo Apoloni. Çfarë nuk shkon te kjo skuadër?

Pavarësisht asaj që përmenda (gjykimi), nuk janë këto shkaqet e kësaj gjendjeje. Nuk duhet “të mbrohemi” kështu. Kishim pritshmëri më të mëdha nga skuadra, realisht kemi punuar për më tepër, por kemi një grup të ri. Nuk kemi marrë rezultatin e punës, lojtarët janë pak të mbyllur dhe nuk po shprehin atë që duhet. Kanë oshilacione dhe vetëm kur të fitojnë përqendrim total në lojë, atëherë do të jemi më bindës. Megjithatë, me Pogradecin mora sinjale pozitive për lojën. Duhet të konsolidohemi e të jemi më kërkues ndaj rezultatit. Tjetra, luajmë në një grup, ku mund t’i humbësh të gjitha pikët ndaj çdo skuadre e po aq sa mund t’i fitosh të gjitha pikët ndaj çdo skuadre.

Lushnja, rivali kryesor, ka 5 pikë më shumë në vetëm 6 javë…

Në fakt, na duhet rruga jonë, por ajo lidhet pandashëm me ecurinë e rivalëve. Lushnja ka marrë pothuajse maksimumin, ka bërë thuajse gjithçka mirë, ka eksperiencë, grup të fortë dhe me cilësi e besim në forcat e veta. Ne, duke ndjekur Lushnjën, kemi harruar ndeshjet tona. Kampionati është i gjatë, në momente të caktuara janë edhe tifozët që vendosin dhe lushnjarët e kanë menaxhuar mirë këtë pjesë, e kanë “armë” të fortë. As Lushnja nuk është e pagabueshme, por nuk janë pak 5 pikë diferencë, edhe pse nuk vendoset sezoni në 6 javë.

Në fundjavë prisni Besën. Si e mendoni këtë ndeshje?

Ndeshje e vështirë, aq më tepër që Besa vjen nga një humbje që nuk e priste. Do të motivohet më tepër për të mos humbur terren me kreun dhe do të na e bëjë të vështirë. Luajmë në aneksin e stadiumit dhe do të jemi pak të kufizuar në shpejtësinë e lojës, por kërkojmë vetëm fitore.

BUJAR RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"