Memushi: Konkurrenca bën ekipin, Flamurtari gjithçka për t’u ngjitur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 18, 2024 | 8:48

Memushi: Konkurrenca bën ekipin, Flamurtari gjithçka për t’u ngjitur

Eqerem Memushi kërkon revanshin në ndeshjen e së dielës. Përballë Korabit duhen vetëm tri pikët. Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri vlonjat e cilëson kundërshtar direkt në garën për “play off”. Trajneri thekson se ka ndryshuar mentaliteti i skuadrës dhe konkurrenca është rritur. Ai apelon që tifozët ta mbështesin ekipin në këtë moment vendimtar.

memushi

Memushi, si është situata e skuadrës para ndeshjes me Korabin?

Kohën për ta përgatitur këtë ndeshje e kemi pasur në dispozicion. Kemi punuar shumë mirë dhe kemi pasur angazhim dhe seriozitet në skuadër. Ndeshjen e kemi përgatitur bukur. Mendoj se skuadra ka entuziazëm për të bërë maksimumin në këtë takim.

Si e vlerësoni kundërshtarin e radhës?

Duhet të tregojmë me të vërtetë që jemi një skuadër me ‘këmbë në tokë’. Luajmë me një kundërshtar direkt për fazën “play off”. Korabin e kemi kundërshtar, por ne duhet të marrim pikët maksimale. Në këtë moment që jemi, duhet të marrim revanshin për një rezultat pozitiv dhe për vazhdimësinë. Çdo ndeshje ka specifikën e vet. Çdo kundërshtar është i vështirë dhe duhet vlerësuar në mënyrë maksimale.

Luani sërish në shtëpi. Sa ju ndihmon kjo gjë?

Ndeshjet në shtëpi janë për vazhdimësinë. Duhet që të punojmë për të arritur objektivin që i kemi vënë vetes.

Mendoni se ndeshjet duhet të zgjidhen shpejt dhe të mos përsëriten më gabimet e ndeshjes së kaluar?

Ajo nuk diskutohet. Nuk duhet të ndodhi më ajo situatë. Ishte një rastësi, por ato janë edhe pjesë e futbollit. Kam besim se nuk do të ndodhin më në skuadrën tonë.

Futbollistët po e pranojnë që ndihet dora juaj si trajner. Si e vlerësoni këtë?

Unë jam i kënaqur që ka ndryshuar mentaliteti në ekip. Shikoj entuziazëm në stërvitje, konkurrencë dhe impenjim maksimal nga lojtarët. Kanë dëshirë të madhe për të mbyllur çdo takim me sukses.

E vlerësoni pozitive konkurrencën në ekip?

Pikërisht, konkurrenca e bënë skuadrën. Nëse një skuadër ka konkurrencë atëherë do të ketë edhe rezultate.

Luhet përsëri në Vlorë. Keni një mesazh për tifozët?

Tifozët janë lojtari i 12-të. Sidomos tifozi vlonjat është shumë i rëndësishëm me pjesëmarrjen e tij në stadium.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"