Mema me ndryshime të detyruara te Kastrioti, krahu i majtë i mbrojtjes është problem

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 21, 2023 | 11:30

Mema me ndryshime të detyruara te Kastrioti, krahu i majtë i mbrojtjes është problem

Kastrioti ka punuar në heshtje në prag të takimit me Partizanin, teksa klubi ka vendosur që trajneri Ardian Mema dhe lojtarët të mos prononcohen për mediat. Sot në orën 13:00 në stadiumin e Kamzës, krutanët i pret një duel shumë delikat, pasi luajnë me kryesuesit e kampionatit dhe për më tepër u duhet rezultati pozitiv, pasi kanë humbur terren në tabelën e klasifikimit.

kastrioti

Atmosfera në skuadër është e mirë dhe fitorja e fundit në Kupën e Shqipërisë ndaj Dinamos me shifrat 1-3 ka rikthyer besimin te krutanët. Lojtarët janë të motivuar për t’iu kthyer rezultateve pozitive në kampionat, ndërsa drejtuesit e klubit u kanë qëndruar afër gjatë gjithë seancave stërvitore.

Trajneri Mema, bashkë me ndihmësin Shkëlzen Rustami, përgatitësin atletik, Ervin Baku, si dhe atë të portierëve Redian Baku, kanë qenë të angazhuar në mbarëvajtjen e stërvitjeve, duke u marrë më të mirën lojtarëve.

Mema ka punuar më shumë faktikisht në seancën e djeshme, ndërsa problem për të është mungesa për shkak kartonësh e dy titullarëve në repartin mbrojtës: Adolf Selmani dhe Martin Prenkoçeviç. Gjasat janë që mesfushori Abaz Karakaçi të rikthehet në qendër të mbrojtjes, për të formuar aty dyshen me Stojanoviç.

Ndërsa në krahun e majtë mund t’i jepet për herë të parë mundësia Mikael Sulkjes. Titullari që luan si mbrojtës i majtë, Armando Rami, prej javësh është i dëmtuar, por sot do të grumbullohet nga trajneri Mema.

Nuk është çudi që Rami ta nisë nga minuta e parë, edhe pse mundësitë më të mëdha janë që të jetë në stol, pasi nuk e ka ende gjendjen maksimale fizike.

Ndërkohë, përballjet mes Kastriotit dhe Partizanit gjithmonë kanë pasur interes të larte për t’u ndjekur nga tifozët, prandaj dhe sot në stadiumin e Kamzës pritet te jenë një numër i konsiderueshëm shikuesish, veçanërisht nga të kuqtë e kryeqytetit.

kastrioti

SHKËLQIM HASANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"