Mbrojtësi shkodran entuziast për aventurën në Kavajë: Besa, shans i artë për karrierën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 19, 2019 | 22:06

Mbrojtësi shkodran entuziast për aventurën në Kavajë: Besa, shans i artë për karrierën

Besa ka zhvilluar deri më tani 4 miqësore, me anë të të cilave trajneri Gugash Magani ka pasur mundësinë të shohë të gjithë lojtarët që ka në dispozicion, sidomos ata që mendon se do të jenë titullarë.

egzon shimaj

Nga sezoni i shkuar në radhët e Besës kanë mbetur pak futbollistë, ndaj dhe kanë ardhur shumë të rinj që duhet t’i zëvendësojnë. Të paktën deri tani, surpriza e këndshme e Besës është shkodrani Egzon Shimaj. Talenti 19-vjeçar shkodran po demonstron një qetësi dhe siguri të admirueshme në lojë, si të ishte një veteran. Ka dëshirë dhe lufton fort, elementë premtues për të ardhmen, jo më kot është edhe pjesë e Kombëtares U-19.

I edukuar dhe pak i turpshëm, Shimaj ka folur shkurt për “Panorama Sport” në lidhje me zgjedhjen e tij dhe impresionet e para te Besa. “Sigurisht, të veshësh fanellën e një skuadre me emër si Besa, është nder për këdo. Besa ishte zgjedhja më e mirë për mua dhe këto ditë jam ndierë mjaft mirë. Si hapi i parë në karrierë, e çmoj dhe vlerësoj maksimalisht. Po punoj në çdo seancë stërvitore me dëshirën më të madhe. Jam në hapat e parë si profesionist dhe kam nevojë për të mësuar. Kushdo nga të rinjtë që ka ardhur te Besa duhet ta vlerësojë këtë shans për karrierën”, thekson Shimaj.

Përveç tij, kavajasit kanë afruar edhe dy të rinjtë Shaqe dhe Hoxha, por edhe Alfred Zefin, një futbollist me përvojë. Grupi po plotësohet nga dita në ditë dhe pritet që Besa të jetë pretendente për kthimin në elitën e futbollit shqiptar. Ambienti futbolldashës në Kavajë i ka mirëpritur ndryshimet në skuadër dhe mbështet lojtarët e rinj.

“Kam gjetur te Besa një ambient që të frymëzon të punosh. Ka mbështetje nga të gjitha anët. Trajneri Gugash Magani ma ka bërë më të lehtë dhe më të bukur stërvitjen me mbështetjen, besimin që më ka dhënë në çdo seancë stërvitore dhe çdo ndeshje. Sigurisht, kritikat e tij më bëjnë mirë. Tani “topi” mbetet tek unë dhe shokët e mi. Personalisht, po përpiqem të mësoj dhe të përfitoj sa më shumë. E di mirë se futbolli është një lojë ku gjithmonë ka për të mësuar dhe për të korrigjuar. Do të mundohem ta shfrytëzoj në maksimum mundësinë që më është dhënë te Besa për të bërë hapa përpara. Unë dhe skuadra duhet të ecim bashkë përpara. Dua të kontribuoj sa më shumë për këtë fanellë. Ashtu si Vllaznia, edhe Besa e zbukuron Superioren dhe besoj se sezonin e ri do të jemi në këtë kategori”, ka përfunduar talenti shkodran.

Feriz Ferizaj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"