Mbrojtësi kërkon kujdes për sfidën me krutanët. Pere: S’na lejohen gabimet, Elbasani do titullin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 25, 2024 | 15:24

Mbrojtësi kërkon kujdes për sfidën me krutanët. Pere: S’na lejohen gabimet, Elbasani do titullin

Elbasani synon të ruajë serinë e rezultateve pozitive në kampionat, ku vjen në 17 përballjet e fundit nuk e njeh shijen e humbjes. Rezultate të cilat në njëfarë mënyre ia dhanë mundësinë skuadrës së drejtuar nga trajneri Nevil Dede, që të marrë kryesimin prej dy javësh.

elbasani fest

Sfida e radhës është ajo me Kastriotin në transfertë, një kundërshtar që kërkon pikë mbijetese. Madje, krutanët janë e vetmja skuadër që i kanë marrë një barazim nga ekipet që synojnë mbijetesën dhe kjo ndodhi në javën e parë, në atë barazim 1-1 të luajtur në Fushë Krujë.

PERE – Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, mbrojtësi Miklovan Pere pohon se Kastriotin e kanë vlerësuar maksimalisht, sidomos kur ata janë pritës, pasi janë një skuadër që i ka hapur punë shumë ekipeve. 32-vjeçari golin e vetëm e ka shënuar në startin e këtij sezoni, pikërisht kundër Kastriotit javën e parë. “Tani për ne kuptohet, çdo ndeshje është një detyrim për të marrë fitoren. Kjo duhet për vetë investimet dhe objektivat që ka një ekip si Elbasani.

Edhe kundër Kastriotit nuk ndryshon gjë sa i përket këtij aspekti. Kanë vlerësimin maksimal nga ana jonë dhe e dimë që në fushën e tyre nuk është e lehtë t’i mundësh. Në këtë fazë të kampionatit të gjitha skuadrat kërkojnë pikët për të arritur objektivat, por Elbasani e ka të ndaluar të gabojë në këto momente”, u shpreh fillimisht pogradecari që mbron ngjyrat verdheblu.

TITULLI KAMPION – Në Elbasan duan titullin dhe duket se nuk mjaftohen më vetëm me ngjitjen në Superiore. Për Peren, kjo është diçka normale, sepse edhe drejtuesit i kanë plotësuar çdo gjë për ta arritur synimin. “Në Elbasan të gjithë e duan titullin. Një gjë që e ndien dhe shikon çdo ditë në këtë qytet, që është i lidhur ngushtë me futbollin. Ne si ekip do t’ia bëjmë hyzmetin që t’i kënaqim tifozët dhe përligjim investimin që kanë bërë drejtuesit.

Jemi të qetë dhe të ndërgjegjshëm që në Elbasan pritshmëritë janë të mëdha dhe kjo gjë na motivon të japim gjithnjë më të mirën tonë në fushë. Sa i takon vendit të parë, ai arrihet duke bërë gjithnjë detyrat që na takojnë dhe të mos e ulim ritmin për asnjë moment”, mbylli prononcimin e tij për gazetën autori i 20 ndeshjeve me Elbasanin, me plot 1609 minuta në fushë, Miklovan Pere.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"