Mbledhje me tone të larta te Kukësi, Gjici bllokon celularët: Vetëm Zoti…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 20, 2018 | 22:54

Mbledhje me tone të larta te Kukësi, Gjici bllokon celularët: Vetëm Zoti…

Kukësi u kualifikua në turin e dytë të Champions Ligë, por për presidentin Gjici ky sukses i arritur me mjaft fat dhe vështirësi nuk mjaftoi. Kreu i klubit ka filluar “avazin e vjetër”, në orën 09:00 të mëngjesit të sotëm, presidenti ka thirrur stafin në mbledhje. Pjesëmarrës kanë qenë të gjithë pjesëtarët e stafit, duke nisur nga drejtori Nexhipi e duke përfunduar te ndihmëstrajneri Rrahman Hallaçi.

Gjici festa

Duke parë mundësinë e rrjedhjeve të informacioneve, sekretaria iu ka kërkuar drejtuesve telefonat celularë, e burime të sigurta për gazetën bëjnë me dije se të gjithë drejtuesit nuk e kanë refuzuar këtë kërkesë, por kanë zbatuar urdhrin, duke lënë telefonat celularë në sekretari. Mbledhja ka nisur si gjithmonë me fjalimin e presidentit Gjici, i cili ka shfaqur shumë rezerva për takimin e dytë me Valetën, por natyrisht dhe për të parin, ku në qendër të bisedës jo me tone normale ka qenë drejtori Nexhipi.

Gjici ka kritikuar ekipin për lojën, madje dhe prurjet e reja, ku ka theksuar se priste më shumë nga ata. Mbledhja ka qenë me tone pak të larta, ku nga një anë Gjici kërkonte lojë më të mirë dhe fajësonte ekipin, nga ana tjetër drejtuesit e tjerë që i mëshonin faktit që Kukësi dhe pse me lojë të keqe ka shkuar në turin e dytë, që i jep klubit plot 940 mijë euro të ardhura. Në një moment, mësohet se ai u ka thënë lojtarëve edhe në formë batute: “Doni edhe premio ju…!

GJICI

Zoti të zbresë në tokë, atëherë mund të merrni premio për Valetën. Luajtët keq. Kualifikohuni me Karabakun dhe flasim pastaj…”. Kjo e ka zbutur disi mbledhjen. Në fund, presidenti Gjici ka kërkuar që për takimin ndaj Karabakut të gjithë të jenë në gatishmëri, të raportojnë përditë për gjendjen e ekipit, secilit prej lojtarëve dhe çdo problematike tjetër. Në këtë fazë dhe pse kundërshtari është një rival i madh, trajnerit dhe drejtorit do i duhet të përgatisin në mënyrën e duhur ekipin, ku vetë presidenti me kërkesat e këtyre të fundit do afrojë dhe dy-tre elementë që të bëjnë diferencën. Kukësi do hidhet në sulm për një sulmues qendre që të bëjë diferencën dhe një mbrojtës apo mesfushor të majtë.

gjici-470x313

LOJTARËT, TË GJITHË NË PROVË

Të gjithë në provë. Kukësi afroi 12 lojtarë gjatë merkatos së verës, por zor se do të rezistojnë të gjithë pas përfundimit të angazhimit në Europë. Vetë presidenti Safet Gjici, i pyetur nga “Panorama Sport” nëse do të ketë rishikime të kontratave apo do të qëndrojnë të gjithë, dha këtë përgjigje: “Do t’ia lë në dorë Cungut që të shikojë me hollësi çdo lojtar. Trajneri sapo ka ardhur, kështu që besoj në 10 ditët e ardhshme do të kemi një konkluzion. Do të dëgjoj Cungun dhe më pas do të vendosim, qoftë për largim dhe ndonjë kërkesë që mund të ketë trajneri për afrime të tjera”.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"