Matjanët me dy fytyra ndaj Kastriotit, Marjan Lleshaj: Burreli e ka detyrim fitoren kundër Lushnjës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 25, 2024 | 18:00

Matjanët me dy fytyra ndaj Kastriotit, Marjan Lleshaj: Burreli e ka detyrim fitoren kundër Lushnjës

Me humbjen e pësuar ndaj Kastriotit në “Redi Maloku” të Fushë Krujës, Burreli regjistroi humbjen e katërt radhazi, duke komplikuar jo pak situatën në luftën për t’i shpëtuar vendeve të fundit të renditjes.

lleshaj burreli

Ndryshe nga tre humbjet e mëparshme, kjo e fundit me krutanët ka ardhur me rezultat të thellë. Në një prononcim për “Panorama Sport”, sekretari i klubit matjan, Marjan Lleshaj, bëri analizën e ndeshjes së fundit. “Në pjesën e parë të ndeshjes, skuadra paraqiti një futboll të kënaqshëm. Reparti mbrojtës dhe paraqitja e mirë e portierit Çili u bënë përcaktues për të ruajtur të paprekur portën. Ndërsa në pjesën e dytë, në saj të ndryshimit në formacionin bazë, u munduam të përdorim kundërsulmin si armë për të rrezikuar kundërshtarin.

Skuadra deri në momentin e pësimit të golit të parë po funksiononte mirë, duke pasur dhe disa raste të pastra për shënim. U ndëshkuam në momentin tonë më të mirë. Në këtë ndeshje, ndikim negativ pati dhe mungesa e tre titullarëve. Pavarësisht humbjes, skuadra po jep shenja kthese që pavarësisht mungesave, aktivizimi i të rinjve la përshtypje pozitive, përveç asaj që ekipi gjeti dhe rrugën e rrjetës, çka mund të shërbejë si çlirim psikologjik në ndeshjen e radhës.

Këtë javë do të presim Lushnjën dhe fitorja është detyrim, jo vetëm për situatën ku ndodhemi në renditje, por dhe për sportdashësit që na ndjekin kudo”, u shpreh administratori i klubit matjan, Marjan Lleshaj. Ndeshja me Lushnjën është vendimtare për skuadrën e trajnerit Klevis Hima në luftën për mbijetesë. Pas 30 javëve kampionat, Burreli ka pikë të barabarta me kavajasit, 31, dhe është i pozicionuar në vendin e dhjetë në renditje.

NDERM GOCI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"