“Masters 2014”, tërhiqet Federer, Xhokoviç kampioni

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 17, 2014 | 11:41

“Masters 2014”, tërhiqet Federer, Xhokoviç kampioni

XhokovicRoxher Federer heq dorë nga finalja e “Masters 2014” dhe i jep fitoren Novak Xhokoviç pa zbritur në fushë. Zvicerani u privua nga disa probleme në shpinë dhe vendosi të mos rrezikojë finalen e ardhshme të “Davis Cup” kundër Francës. “Më vjen keq, por nuk jam në gjendje të luaj këtë mbrëmje”, deklaroi tenisti helvet përpara publikut të “O2 Arena”. Për Xhokoviç, ky është trofeu i katërt “Masters” në karrierë. “Vendosa të dal dhe t’ju kërkoj falje. Shpresoj të rikthehem vitin e ardhshëm”, shtoi Roxher, i cili tentoi deri në momentin e fundit, por nuk mundi të jetë plotësisht i rikuperuar. “Jam përpjekur gjatë gjithë ditës, por tashmë nuk jam në gjendje të zbres në fushë”. Pas “Bercy 2008” dhe “Doha 2012”, për Federer ky është precedenti i tretë në karrierë që tërhiqet nga një finale. Sipas zërave, Federer kishte shfaqur shqetësime që në gjysmëfinalen derbi me Stanilas Vavrinka, por përpara asaj sfide iu nënshtrua një injektimi. Por, siç duket, beteja me bashkëkombësin e tij i shkaktoi të tjera dhimbje, por të pakapërcyeshme në finale. “Jam i trishtuar që nuk munda të luaj sonte kundër Novak, – shkroi Federer në profilin e tij në “Facebook”. – Ndiej dhimbje në shpinë pas ndeshjes së një dite më parë me Stan. Jam shumë i zhgënjyer dhe shpresoj të ndihem më mirë shumë shpejt. Ky ishte një vendim jashtëzakonisht i vështirë sepse unë kam dashur gjithmonë të luaj në Londër në ‘Finals’. Është një turne që më ka dhënë shumë kënaqësi. Për fat të keq, problemi im në shpinë nuk më lejon të luaj. Shpresoj që të më mirëkuptojnë të gjithë tifozët e tenisit për vendimin e marrë”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"