Markez, fitore titulli në Spanjë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 26, 2016 | 10:02

Markez, fitore titulli në Spanjë

Një fitore që vjen “era” titull kampion. Përpara publikut të shtëpisë, piloti spanjoll Mark Markez me Hondën ka fituar pasditen e djeshme garën e Çmimit të Madh të Spanjës në MotoGP, zhvilluar në pistën e Aragonit, duke hipotekuar edhe titullin kampion. Spanjolli ka 52 pikë avantazh karshi ndjekësit tij më të afërt, pilotit italian Valentino Rosi, i cili dje u pozicionua i treti, ndërkohë që kanë mbetur edhe 4 gara nga fundi i Botërorit.

Markez fiton ne Aragon

Një garë e bukur vetëm në pjesën e parë, kur dy pretendentët për titull rivalizuan mes tyre, pasi më tej në pistë dominoi Markez, që u shkëput dhe fitoi me meritë. Rosi, që deri 12 xhiro nga fundi ishte në krye, humbi terren në pjesën e dytë të garës, duke u parakaluar edhe nga shoku i skuadrës Horge Lorenco, që u rendit i dyti.

Kështu, Markez, Lorenco e Rosi ngjiten në podium në pistën e Aragon, fitorja e parë e një piloti spanjoll në garën e shtëpisë këtë sezon, pas dy sukseseve të më- parshme të italianit (në Herez dhe Katalunja).

Mark Markez

Asnjë llogari

Gara dhuron surpriza që në xhirot e para, me shumë luhatje të pilotëve, që ndryshojnë heraherës vendet në renditje. Markez, që e nisi garën nga “pole”, humbet disi terren në start, madje për një moment edhe gabon, por nuk lë rivalët të shkëputen. Ai që dominon në pjesën e parë të garës është Rosi, që edhe pse e nisi atë nga vendi i gjashtë, pas 8 xhirosh merr kreun. Shpejt nis një duel mes dy më të mirëve në MotoGP, Rosi e Markez, ndërsa për podiumin duelojnë Vinjales e Lorenco, të shkëputur nga dyshja e kreut.

Por në pjesën e dytë të garës është kryesuesi i klasifikimit të përgjithshëm, Mark Markez ai që dominon në pistë, teksa parakalon Rosin dhe merr kreun. Spanjolli më pas nuk bën më asnjë gabim, shkëputet dhe fiton garën. Në dy xhirot e fundit e gjithë vëmendja u përqendruar te beteja midis Rosit dhe Lorencos. Italiani parakalohet edhe nga shoku i skuadrës tek Yamaha, i cili përfiton nga një gabim i Rosit, që del jashtë piste duke i rrëmbyer në metrat e fundit vendin e dytë.

Markez

Shtatë herë kampioni i botës e ka mbyllur garën i treti. Botërori i MotoGP spostohet në anën tjetër të botës, teksa më 16 tetor garohet në Japoni. Në këtë pikë, duket se kampionati botëror nuk ka më asgjë për të treguar, teksa Mark Markez është shumë pranë kurorëzimit kampion. Beteja e vetme do të jetë ajo midis dy pilotëve të Yamaha-s, ku Rosi dhe Lorenco do të luftojnë deri në garën e fundit për vendin e dytë në klasifikimin e përgjithshëm.

Përgatiti: LEAR MAÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"